A është e mundur që qytetërime të tjera, jo humane të kenë jetuar në Tokë përpara qytetërimit tonë. Nëse po, pse nuk arrijmë të zbulojmë gjurmët e tyre. Nga ana tjetër, cilat do të jenë gjurmët tona për qytetërimet e tjera që do të pasojnë?
A jemi ne të sigurt se jemi të vetmit që deri tani kemi vënë këmbën mbi Tokë. Në këtë rast nuk është fjala për qytetërime aliene jashtë tokësore, por për qytetërime të tjera jo humane para-njerëzore.
Pyetja që prej kohësh ka shqetësuar studiues të ndryshëm është në qendër të një analize të botuar në revistën International Journal of Astrobiology, e ilustruar mjaft mirë nga revista Athlantic.
Përgjithësisht studiuesit kanë përcaktuar si qytetërime të zhdukura ato që kanë lënë gjurmë mbi Tokë, përfshi ndërtime, statuja dhe skulptura që shërbejnë për të njohur dhe kuptuar më mirë ato. Por kur vëmendjen e çojmë miliona e miliona vite më përpara, çështja bëhet më e koklavitur dhe përgjigja e vështirë.
Mbi sipërfaqen e Tokës, hapësira më autentike dhe e pa ndikuar nga proceset gjeologjike, ndodhet në shkretëtirën Negev në Izrael dhe daton 1.8 milion vite më parë. Të tjerat janë të shikueshme vetëm mbi fragmente shkëmbinjsh, gjithsesi, të veshura e të modifikuara nga proceset vullkanike dhe mbi to është e kotë të shpresosh për të gjetur gjurmë të shoqërive të mëparshme. Janë edhe fosilet, por edhe ato nuk mund të japin një pasqyrë disi më të qartë, ndërkohë që është e pamundur të gjenden të tilla që datojnë miliona vite më parë.
Pra mbetet një pyetje e vështirë, dhe shumica e gjeologëve dhe studiuesve mendojnë që nuk kanë ekzistuar, por gjithsesi, le të përpiqemi t’i japim një përgjigje, duke u nisur nga gjurmët që qytetërimi ynë do të lerë duke supozuar se do të zhduket pikërisht tani.
Mbas 100 milion vitesh, gjeologët do të mund të gjenin në sedimentet tokësore gjurmë të shumta të plehrave kimikë që aktualisht përdoren me shumicë për të shtuar rendimentin e prodhimeve bujqësore.
Ata do të gjenin gjithashtu edhe gjurmë të mineraleve të rralla që përdoren për përgatitjen sendeve teknologjike dhe na radhë të parë do të gjenin gjurmë të plastikës së kudondodhur, deri në Polin e Veriut dhe që është futur deri edhe në zinxhirin ushqimor të peshqve dhe kafshëve të ujit.
Por gjurmët më të qëndrueshme do të jenë ato që lidhen me përdorimin e lëndëve të djegshme dhe prodhimin e gazit karbonik.
Dhe nëse njerëzimi do të lërë gjurmë të pashlyeshme në Tokë, mund të mendojmë se një gjë e ngjashme mund të ketë ndodhur edhe nga qytetërime të tjera jo njerëzore të mëparshme që mund të kenë jetuar mbi Tokë.
Gjithsesi, ajo që e bën të jashtëzakonshme dhe unikale erën dhe qytetërimin tonë, në terma gjeologjikë, është shpejtësia me të cilën jemi duke ndryshuar natyrën, gjë që vështirë se mund të ketë ndodhur në ato të supozuarat të mëparshme.
Ajo që del nga ku studim tregon se sa më shumë të kujdesshëm të jemi me përdorimin e burimeve dhe sa më shumë një shoqëri të gjejë zgjidhje të pranueshme për mbijetesën dhe ushqimin e vet, aq më të vogla do të jenë gjurmët që do të lërë pas.
/Focus/American Eye