Kosova A u vra polici në Veri nga mercenarët e Wagner? Përgjigjet zëvendësdrejtori...

A u vra polici në Veri nga mercenarët e Wagner? Përgjigjet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti u pyet nëse sulmi ku u vra polici në veri mund të jetë kryer nga grupi mercenar rus Wagner.

Sipas tij janë diskutuar dhe trajtuar të gjitha mundësitë pasi ka pasur informacione për prezencë të këtyre personave, por deri tani u shpreh Hoti nuk ka asnjë konkrete dhe të konfirmuar.

“Sa i përket grupit Wagner, kemi pasur informacione edhe më herët, kemi pasur informacione që individë të grupit Wagner po lëvizin ose mund të lëvizin, ose mund të sulmojnë. Të gjitha janë trajtuar. Mirëpo deri më tani nuk kemi diçka të argumentuar, të faktuar. Ju e dini që gjykatat kërkojnë gjithçka të dokumentuar. Prandaj si informacione i kemi trajtuar dhe jemi duke i trajtuar”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në fshatin Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic, gjenden së paku 30 persona të armatosur rëndë.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Kurti ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen te organet e sigurisë.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, që ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe që i ftoj të dorëzohen te organet tona të sigurisë. Ata janë që po i sulmojnë policinë tonë, edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun e kanë plagosur Alban Rashitin”, tha Kurti.