Politika Borrell dhe Lajçak: Dënojmë sulmin e tmerrshëm kundër policëve të Kosovës. Autorët...

Borrell dhe Lajçak: Dënojmë sulmin e tmerrshëm kundër policëve të Kosovës. Autorët të përballen me drejtësinë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell ka dënuar sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës, ku një efektiv mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe të mundshme sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic dhe dy të tjerë të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët duhet të përballen me drejtësinë. Jetë të pafajshme janë në rrezik me armiqësinë që po vijon në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Sulmet duhet të ndalen menjëherë. EULEX është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. BE dhe shtetet anëtare u bëjnë thirrje të gjithë palëve që të punojnë për të depërshkallëzuar situatën në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Borrell.

Edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka dënuar sulmet e grupeve kriminale ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan.

Në llogarinë e tij në Tëitter, ai ka shkruar se dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme.

“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër Policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është me viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, ka shkruar Lajçak.