Kryesore Abazoviç kryeministër i Malit të Zi, Rama: Shqiptarët tani drejtojnë tre shtete...

Abazoviç kryeministër i Malit të Zi, Rama: Shqiptarët tani drejtojnë tre shtete të Ballkanit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zgjedhjes së Dritan Abazoviç si kreu i qeverisë së Malit të Zi.

Rama thotë se askush nuk do ta besonte deri dje se në Ballkanin me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë.

“I lumtur që Dritan Abazoviç është nga sot kryeministri i Malit të Zi! Kush do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë. Na takon ne të japim provën si ndërtues të mirë urash për paqe mes të gjithëve e mirëqenie për të gjithë”, tha Rama.

36-vjeçari Dritan Abazoviç do të jetë shqiptari i parë në krye të një qeverie në historinë malazeze.

Për zgjedhjen e qeverisë së re dhe programin e Abazoviç votuan 45 deputetë të mazhorancës së re, ndërsa 3 deputetë të SD-së votuan kundër.

Qeveria do të ketë katër zëvendëskryeministra dhe 20 ministra, nga të cilët, dy do të jenë pa portofol.

Pjesë e koalicionit qeverisës janë ’Lëvizja Qytetare URA’ e Abazoviç, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve.

Në planin e dorëzuar pak ditë më parë, Abazoviç ka renditur pikat kryesore, ku do të fokusohet qeveria e re, ku mes të tjerave përfshihet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, integrimi në Bashkimin Evropian, si dhe reforma të reja për të përballuar krizën ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë.

Një ndër vendimet e para do të jetë edhe censusi i popullsisë, çështje që ka shkaktuar gjithnjë tensione në Mali te Zi.