Kryesore Afera e inceneratorëve, Apeli lë në burg Lefter Kokën

Afera e inceneratorëve, Apeli lë në burg Lefter Kokën

Ish-ministri i Mjedisit do të vijojë të qëndrojë në burg. Ky është vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit. Në seancën e sotme, Apeli ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe ish-ministri Lefter Koka do të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, është arrestuar nga SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Prokuroria ka thënë se ministria e Mjedisit nën drejtimin e Kokës nuk ka kryer veprimet e plota përgatitore për dhënien e koncesionit.

Sipas SPAK është konstatuar se është aplikuar procedura me negocim pa shpallje paraprake, kur këtë gjë e përjashton ligji.

Në kërkim për këtë dosje mbeten dy biznesmenët Stela Gugallja dhe Klodian Zoto që akuzohen se kanë lëshuar fatura fiktive me vlerë 3.6 milionë Euro për punime që nuk janë kryer asnjëherë në inceneratorin e Elbasanit.