Aktualitet Aksident i rëndë në Rrugën e Kombit, humb jetën një fëmijë 3-vjeçar...

Aksident i rëndë në Rrugën e Kombit, humb jetën një fëmijë 3-vjeçar dhe babai i tij

Një aksident i rëndë është regjistruar në Milot në Rrugën e Kombit këtë të hënë. Mësohet se dy makina, një “Opel” dhe një “Benz”, janë përplasur me njëra-tjetrën.

Për pasojë ka ndërruar jetë një fëmijë 3 vjeç, ashtu sikurse edhe babai i tij, Shkurt Prenga, 33 vjeç. I mituri udhëtonte me prindërit në makinën “Opel”.

Fëmija gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa i ati u dërgua në spitalin e Lezhës, ku dhe humbi jetën pak kohë pas ngjarjes. E vetmja e mbijetuar nga kjo familje është gruaja, Fabiola, e cila ndodhet në kujdesin e mjekëve.

Arrestohet shoferi 26-vjeçar

Shoferi 26-vjeçar që u përshi në aksidentin me dy të vdekur në aksin Milot-Morinë është vënë në pranga. Policia në një njoftim për mediat bën me dije se është arrestuar në spitalin e Traumës në Tiranë, 26-vjeçari me iniciale Arlind Mihaj, 26 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor“.

Sipas policisë i riu duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në aksin rrugor Milot-Morinë, është përplasur me automjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin Shkurt Prenga, i cili ka humbur jetën së bashku me fëmijën e mitur, ndërsa bashkëshortja e tij ka marrë dëmtime të rënda dhe ndodhet në spital.