Aktualitet Aksidentoi për vdekje 59-vjeçarin, u largua dhe fshehu makinën, kapet pas 6...

Aksidentoi për vdekje 59-vjeçarin, u largua dhe fshehu makinën, kapet pas 6 ditësh shoferi

6 ditë më parë një 59-vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti. Sipas policisë, një makinë e përplasi këmbësorin dhe u largua menjëherë nga vendngjarja.

Sot, mësohet se është vënë në pranga drejtuesi i këtij automjeti, i cili siç raportojnë blutë e kishte fshehur makinën në Shijak.

“Aksidentoi me pasojë vdekjen një 59-vjeçar, më datë 25.08.2023, u largua nga vendi i aksidentit dhe fshehu automjetin, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga drejtuesi i automjetit. Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Durrës, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit me pasojë vdekjen, të ndodhur më datë 25.08.2023, kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin F. K., 34 vjeç, banues në Shijak.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin J. M., banues në Sukth, këmbësor, është larguar nga vendi i aksidentit dhe e ka fshehur automjetin në Shijak. Automjeti është gjetur dhe është bllokuar nga shërbimet e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.