Kosova Albin Kurti shtyn afatin për targat: Plani me tri faza

Albin Kurti shtyn afatin për targat: Plani me tri faza

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije në mbledhjen e qeverisë se do të shtyhet afati për targat.

Ai tha se qeveria e Kosovës ka një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza.

Plani parashikon që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Kryeministri tha se qytetarët në veri do të mund të përfitojnë lehtësirat tatimore dhe t’i riregjistrojnë makinat e tyre në RKS.

Kurti përsëriti se targat me akronimet serbe për qytetet e Kosovës janë ilegale.

Afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia skadon më 31 tetor dhe Qeveria tha se me këtë vendim të ri ajo po tregon seriozitet për të zbatuar vendimin që ka marrë, por “në të njëjtën kohë që t’u japim shans atyre që janë të interesuar të integrohen”.

Sipas vendimit të mëparshëm të Qeverisë, nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët në veri, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, do të mund t’i konvertonin ë ato në RKS- Republika e Kosovës. Pas kësaj date, ekzekutivi kishte thënë paraprakisht se makinave me targa të tilla nuk do të mund të qarkullonin në territorin e shtetit e as të kalonin kufirin.