Aktualitet Policia, megaoperacion antidrogë: Prangosen 23 persona, 9 në kërkim, 197 të proceduar

Policia, megaoperacion antidrogë: Prangosen 23 persona, 9 në kërkim, 197 të proceduar

Autoritetet policore në Korçë njoftuan pasditen e kësaj të premteje arrestimin e 23 personave dhe shpalljen në kërkim të 9 të tjerëve. Bëhet fjalë për fazën e dytë të operacionit të koduar Knock Down, operacion për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me shpërndarjen e drogës në këtë qytet.

Më herët, në fazën e parë të këtij operacioni të realizuar në muajin Prill të këtij viti në pranga përfunduan 25 persona. Në kuadër të të dy fazave të operacionit, janë proceduar penalisht 197 persona, nga të cilët 54 janë arrestuar, 16 janë shpallur në kërkim dhe vijon hetimi për 127 persona të tjerë.

Në një konferencë për shtyp, kreu u policisë së Korçës tha se gjatë të dyja fazave të operacionit janë sekuestruar “700 gramë kokainë e ndarë në doza; 1 kilogramë kanabis e ndarë në doza; 100 gramë heroinë e ndarë në doza; një sasi metadoni dhe prekusori; 1 armë zjarri tip pistoletë me silenciator; 38 automjete; 30 aparate celular; 5 peshore elektronike; 1 radio policie; një sasi rreth 50 milionë lekë në euro, dollarë dhe paund; dokumente të ndryshme identifikimi të dyshuara të falsifikuara për shtetas të ndryshëm”.

Autoritetet thonë se nga hetimet ka rezultuar personat në fjalë vepronin në formën e grupit të strukturuar kriminal. Ata siguronin nga rrethet Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan droga të forta, kokainë e heroinë, si dhe kanabis e më pas i shpërndanin në qytetin e Korçës.

Në vijim të këtij operacioni policia thotë se priten arrestime në ditët në vijim.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Gjovalin Loka: “Bazuar në provat e siguruar gjatë hetimit proaktiv të regjistruar, sot më datë 28.10.2022, u finalizua faza e dytë e megaopercionit policor të koduar “Knock Down 2”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i dhjetëra masave të lëshuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë.

Gjatë fazës së dytë, nga Gjykata janë lëshuar 32 masa sigurie, nga të cilat ditën e sotme strukturat hetimore në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” dhe strukturat e rendit në DVP Korçë kanë ekzekutuar 23 masa sigurie “Arrest në burg”, ndërsa 9 persona janë shpallur në kërkim, e konkretisht:

R. M., 31 vjeç; E.Ç., 33 vjeç; M. T., 30 vjeç; P. K., 32 vjeç; K.N 22 vjeç., L. S., 32 vjeç; J. Xh., 26 vjeç; D. G., 35 vjeç; M. S., 24 vjeç; E. R., 44 vjeç; A. T., 45 vjeç; B. M; 18 vjeç; R. A 18 vjeç; L. S., 18 vjeç; E. H., 21 vjeç; A. B., 19 vjeç; K. S., 21 vjeç; I. P., 28 vjeç; D. Z., 36 vjeç; D. S., 22 vjeç; R.T., 37 vjeç; V. H., 28 vjeç, banues në Korçë dhe A. O., 35 vjeç, banues në Pogradec.

Janë shpallur në kërkim 9 shtetas dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Në të dyja fazat e operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– 700 gramë kokainë e ndarë në doza;

– 1 kilogramë kanabis e ndarë në doza;

– 100 gramë heroinë e ndarë në doza;

– një sasi metadoni dhe prekusori;

– 1 armë zjarri tip pistoletë me silenciator;

– 38 automjete;

– 30 aparate celular;

– 5 peshore elektronike;

– 1 radio policie;

– një sasi rreth 50 milionë në euro, dollarë dhe paund;

– dokumente të ndryshme identifikimi të dyshuara të falsifikuara për shtetas të ndryshëm.