Kryesore Albin Kurti tregon detaje nga takimi me Ramën: Shqiptarët presin bashkëpunim nga...

Albin Kurti tregon detaje nga takimi me Ramën: Shqiptarët presin bashkëpunim nga ne

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për mediat pas samitit të Paqes për Europën Juglindore që po mbahet në Tiranë. Kurti ka komentuar takimin me Edi Ramën.

“Takimi i gjatë me Ramën, kishim 14 muaj pa u parë. Ne jemi njerëz të ndryshëm e politikanë të ndryshëm, po kjo s’na pengon të bashkëpunojmë Do të vijojmë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive dhe mbi të gjitha zbatimin e marrëveshjeve”, tha Kurti, i cili më tej shtoi se nuk ka folur me kryeministrin e Shqipërisë për padinë që deklaroi gjatë emisionit “Opinion” se do bëjë ndaj Haradinajt.

Kurti ka kthyer një përgjigje edhe për një ministri shteti të përbashkët.

“Nuk kemi fol për organigramat”, tha Kurti.

Në lidhje me marrëdhënien e tij me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Kurti tha: “Jemi persona të ndryshëm, politikanë të ndryshëm, por duam të bashkëpunojmë në mënyrë që dallimet që kemi të mos rrezikojnë bashkëpunimin tonë, sepse fundja nuk jemi dy persona të veçantë, por dy funksione për të cilët shqiptarët presin bashkëpunim”.

Nga ana tjetër ka treguar si do të vijojë dialogu me Serbinë.  Gjithashtu, kandidati për kryeministër në Kosovë theksoi se Rama nuk është për shkëmbim territori.

“Dialogun Kosovë-Serbi do ta drejtoj unë. Kryeministri shqiptar nuk është për shkëmbim territori. Taksa ndaj do të zëvendësohet me reciprocitet”, tha Kurti.

Kurti deklaroi se Shengeni Ballkanik është tani për tani vetëm ide.

Kur u pyet nëse Kosova do t’i bashkohej Shengenit Ballkanik, Kurti u përgjigj: “Unë pres që ta shikoj një tekst se çfarë nënkupton saktësisht. Më ngjan më shumë me ide sesa me projekt. Tani për tani është vetëm ide”.