Politika Aleatët e PD thyejnë vendimin për mandatet, ja kush janë “rebelët”

Aleatët e PD thyejnë vendimin për mandatet, ja kush janë “rebelët”

Ditën e hënë, KQZ pritet që t’u japë mandatin e deputetëve dhe 6 kandidatëve të listave të PD-së dhe të LSI-së, duke e çuar në 12 opozitën e re të Kuvendit, së bashku me Myslim Murrizin dhe Rudina Hajdarin.

Por ajo që bie në sy, është se rebelët që po thyejnë vendimin politik të dy partive kryesore të opozitës janë partitë aleate. Pasi u vendos që në zgjedhjet parlamentare të 2017 të mos ketë koalicione, Partia Demokratike, ndryshe nga socialistët, përfshiu në listat e saj jo vetëm kryetarët e partive kryesore aleate, por dhe anëtarë të tyre.

Me marrëveshje, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ra dakord me kryetarët e partive të vogla aleate që në vendet mbushëse të listave të përfshiheshin dhe emra nga partitë e tyre për t’i motivuar ata gjatë fushatës për të grumbulluar vota për PD.

Sot, kur PD dhe LSI vendosi që të “djegë” mandatet e deputetëve, disa emra që pritet të marrin mandatin, janë nga ata të vendeve mbushëse nga partitë aleate. Adriatik Alimadhi, kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat, kandidat në Qarkun e Vlorës, pritet të marrë mandatin e deputetit. Po ashtu, edhe Ligoraq Karamelo, propozim në listën e PD-së në Qarkun e Korçës nga PBDNJ, pritet gjithashtu të hënën të marrë mandatin nga KQZ.

Po kështu, edhe Selami Jenisheri, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve, pjesë e listës së PD-së në Qarkun e Tiranës. Krenar Rryci është kandidati i dytë pas Majlinda Halilajt nga lista e Partisë Demokratike, i cili pendohet që ka refuzuar të marrë mandatin. Pasi firmosi dorëheqjen nga mandati, ai u shpreh se kishte ndryshuar mendje dhe do të bëhet deputet.

“E kam firmosur, por kam ndryshuar mendje. Do jem kandidat dhe do marr mandatin që të përfaqësoj Parlamentin shqiptar”, u shpreh Rryci pak ditë më parë. Lefter Maliqi, i shumëpërfolur për kalimet nga e majta në të djathtë, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halili, nga lista e Tiranës. Ndërkohë që nga LSI-ja do të hyjnë në Kuvend tri zonja: Elda Hoti, e cila ka qenë kandidate në listat e Lezhës, Edlira Hyseni, në listat e Durrësit dhe Ediola Braho, në listat e Qarkut Gjirokastër.

Mbetet ende pezull data e betimit të tyre për shkak se në Kuvend nuk është parashikuar ende seanca e radhës. 4 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë nga radha e LSI-së janë betuar paraditen e së martës, ndërkohë që opozita protestonte jashtë Parlamentit.

Pasi kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, lexoi formulën e betimit, kanë thënë njëri pas tjetrit “betohem” deputetët Edmond Rrushi, Aurora Mara, Enver Roshi dhe Ylli Shehu. Me betimin e 4 deputetëve të rinj, Parlamenti shkon në kuotën e 86 deputetëve, në gjendje për të miratuar edhe ligje me shumicë të cilësuar që kërkojnë 84 vota.

Burimi: Panorama