Sport Allegri: E admiroj Zidanen taktikisht. Pse e refuzova Realin

Allegri: E admiroj Zidanen taktikisht. Pse e refuzova Realin

Massimiliano Allegri është një nga të papunët e artë në futbollin ndërkombëtar. Ai e mbylli aventurën te Juventusi pas pesë titujve radhazi të Serie A dhe dy finaleve të Ligës së Kampionëve. Livornezi mori një vit pushim të merituar për të kuptuar se cili mund të ishte destinacioni i ardhshëm, pa nxitim. Tashmë pret për të ndërtuar një projekt të ri fitues, nuk ka rëndësi se ku; qoftë në Itali apo Europë. Kjo është pjesë e përmbajtjes së intervistës, dhënë për “Marca”, në të cilën ngre lart cilësitë e një tekniku të ri, që tashmë e ka konfirmuar veten ndërkombëtarisht, duke fituar gjithçka: Zinedine Zidane.

Ndërsa Allegri vlerëson Pep Guardiolën dhe Luis Enrique si “dy nga trajnerët që admiroj më shumë”, një hapësirë e veçantë është rezervuar për një ish-lojtar të Juventusit, tani në stolin e Real Madridit: “Unë e admiroj Zidane, mbi të gjitha forcën që kishte në kërkimin e ekuilibrit të domosdoshëm në një ekip kaq të plotë, me klas dhe talent. Për mua, për shembull, veprimi i shkëlqyeshëm ishte pozicionimi i Casemiro. Ishte një zgjedhje “masterclass” në nivel taktik nga Zidane”.

Padyshim, mendimet dhe pyetjet i drejtohen të ardhmes: ku do të stërvisë Allegri? A do të zgjedhë akoma Italinë apo do ta provojë aventurë diku tjetër, mbase në La Liga? Mbase në Madrid, pasi Reali tashmë e kishte kërkuar atë në të kaluarën: “Kjo ndodhi dy sezone më parë, por unë nuk mund ta pranoja. Kisha një kontratë me Juventusin dhe mbi të gjitha një detyrim moral me klubin, mjedisin dhe tifozët”. Megjithatë, rruga mund të rihapet: “Më pëlqeu të pushoja një vit, të ndaja kohë me familjen dhe miqtë. Pra, i kam karikuar mirë bateritë. Tani dua një klub, me të cilin të ndaj projekte të reja fituese. Në Spanjë ju luani me më pak presion sesa në Itali, ka më shumë shije futbolli”.

Më në fund, trajneri italian analizon se çfarë po ndodh në nivelin ndërkombëtar, nga Lautaro Martinez, kërkuar nga Barcelona (“është një fanellë e rëndë, ai do të duhet të provojë se vlen për “Camp Nou”, edhe nëse po bën mirë tek Interi”) te Juventusi, përsëri favorit për titullin në Serie A: “Unë fitova pesë tituj kampioni atje. Juventusi është një klub i lindur për t’u imponuar dhe do ta bëjë këtë për një kohë të gjatë. Dy klubet e Milanos nuk janë ende gati të garojnë me bardhezinjtë”.