Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se nuk është kënaqësi që njerëzit futen në burg. Në debat me deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka, Dumani tha se “prokurorët nuk flenë të qetë për dilemat e tyre nëse kanë marrë vendim të drejtë apo jo”.
“Çfarë jemi në fund të fundit ne? Ne ngremë akuza dhe fusim njerëz në burg, kënaqësi është për ne? Kurrë nuk është kënaqësi, por është pjesë e detyrës tonë institucionale dhe ligjore. Por nuk është kënaqësi ta garantoj. Nuk flemë të qetë me dilemat tona, kemi marrë një vendim të drejtë apo jo”, tha Dumani.
Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, Dumani është revoltuar me aludimet e Nokës se operacioni në kuadër të të cilit u lëshuan 50 urdhër-arreste, është dekonspiruar. Dumani i është kthyer duke i thënë se është fyese dhe denigruese që të aludosh për personat që kanë punuar ditë e natë për këtë çështje kaq komplekse.
Flamur Noka: Keni njoftuar që dosja ku janë firmosur 51 urdhër-arreste në mos gaboj, të arrestuar janë 6 dhe asnjë nuk janë arrestuar, të gjithë janë të arrestuar për çështje të tjera. Pra, kush e dekonspiroi këtë operacion? Ju apo Policia e Shtetit sepse ka dalë në deklaratë ku e ka mohuar këtë, ata kanë deklaruar se thjesht shoqërojnë hetuesit e BKH-së dhe prokurorët. Kemi të drejtën të dyshojmë se edhe ky operacion dështoi dhe rezultoi si operacion i përdororur për presion ndaj grupeve kriminale për t’i shndërruar në shtabe elektorale për Rilindjen dhe pushtetin.
Altin Dumani: Si mund të shkosh kaq larg dhe të aludosh, është mundi dhe fryti i punës së hetuesve, kemi punuar ditë e natë, orar e pa orar. Për mua është fyese dhe denigruese të aludosh për personat të cilët me mish e me thua janë përpjekur të hetojnë një çështje kaq komplekse. Përgjegjësia ime është të ushtroj ndjekjen penale.
Ndërkohë, teksa kreu i SPAK, Altin Dumani, raportonte në Komisionin e Ligjeve për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, u vu re se Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit Flamur Noka ishte në seancë i veshur me një bluzë me mbishkrimin “Lironi Berishën”.
Noka u pa krah Monika Kryemadhit teksa po diskutonin me njëri-tjetrin