Bota Bonusi i bebeve në Greqi, 2 mijë euro për fëmijët e lindur...

Bonusi i bebeve në Greqi, 2 mijë euro për fëmijët e lindur pas 1 janarit 2020

Në Parlamentin grek po diskutohet miratimi i një ligji që parashikon dhënien e një bonusi prej 2 000 eurosh për të gjithë foshnjat e lindura në Greqi nga 1 janari i vitit 2020, për prindërit që fitojnë më pak se 40 000 euro në vit.

Bonusi ka për qëllim të rritë numrin e lindjeve, i cili është tkurrur me 10 për qind në katër vitet e fundit dhe parashikohet që popullsia e saj të bjerë nga 10.4 milionë në vitin 2020, në 9 milionë në 2050, ose një reduktim me 13.4 për qind, sipas raporteve të fundit.

Përfitimi prej 2 000 eurosh pa taksë do të shpërndahet në dy këste të barabarta për nënat ose prindërit që deklarojnë deri në 40 000 euro të ardhura në vit dhe gjithashtu do të mbulojnë ata që nuk janë grekë, por që provojnë se kanë jetuar në vend për 12 vjet ose më shumë.

Kostoja totale e bonusit të bebeve pritet të shkojë në 123 milionë euro në vitin 2020 dhe 170 milionë euro çdo vit pas kësaj.

Strategjia është e ngjashme me atë që miratoi dy vjet më parë edhe qeveria shqiptare. Megjithatë, qeveria greke synon të mbështesë më shumë financiarisht shtresën e ulët, duke përjashtuar nga bonusi ata që fitojnë më shumë se 40 mijë euro në vit.