Sport Ambasadori i ri i “Katar 2022”, Beckham nën stuhinë e kritikave: “Shiti...

Ambasadori i ri i “Katar 2022”, Beckham nën stuhinë e kritikave: “Shiti shpirtin”

David Beckham ndodhet nën stuhinë e kritikave në Britaninë e Madhe pas marrëveshjes 177 milionë euro të nënshkruar me Katarin për t’u bërë ambasador i Kupës së Botës 2022, përveç promovimit të turizmit dhe kulturës në vendin e Gjirit. Një vend shpeshherë në qendër të skandaleve për shkelje të të drejtave të njeriut, veçanërisht ndaj grave dhe homoseksualëve.

Disa shoqata të të drejtave të njeriut kanë kritikuar marrëveshjen duke akuzuar ish-yllin e Manchester United dhe Real Madrid se ka “shitur shpirtin e tij” nga “lakmia”.

Amnesty International në Mbretërinë e Bashkuar po i bën presion ish-futbollistit, duke i kërkuar atij “të informojë për situatën thellësisht shqetësuese të të drejtave të njeriut në Katar dhe të jetë i gatshëm të flasë për të”.

“Situata e të drejtave të njeriut në Katar është shqetësuese, nga keqtrajtimi i gjatë i punëtorëve migrantë, deri te kufijtë e fjalës së lirë dhe kriminalizimi i marrëdhënieve mes të njëjtit seks”, tha Sacha Deshmukh, CEO i Amnesty International  në Mbretërinë e Bashkuar.

“Keqtrajtimi nga ana e Katarit ndaj punëtorëve migrantë, njerëzve, puna e palodhur e të cilëve po bën të mundur Kupën e Botës, është një shqetësim i veçantë. Pavarësisht disa reformave, punëtorët vazhdojnë të jenë të papaguar dhe autoritetet kanë dështuar të hetojnë mijëra vdekje që kanë ndodhur gjatë dekadës së fundit për shkak të kushteve të pasigurta të punës. Duhet bërë më shumë që ky Botëror të lërë një trashëgimi pozitive dhe të transformojnë situatën e të drejtave të njeriut në Katar”, shton Deshmuk.