Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka vizituar mëngjesin e së hënës Presidencën, ku i ka dorëzuar Kreut të Shtetit, Ilir Meta letrat kredenciale, duke nisur zyrtarisht kështu dhe misionin e saj diplomatik si përfaqësuesja më e lartë e SHBA në Tiranë.
“I kënaqur të prisja dhe të pranoja Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të SHBA, znj.Yuri Kim. SHBA një partner strategjik, i pazëvendësueshëm për Shqipërinë. Së bashku të përballojmë me sukses sfidat që ka vendi. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!”, shkroi Presidenti Meta në rrjetet sociale pas takimit me ambasadoren amerikane.
Pas takimit me Presidentin, ambasadorja Kim pritet të mbajë rreth mesditës një konferencë për shtyp në selinë e ambasadës.