Politika “Kurrë më”! Mesazhi i Presidenti Meta në Ditën e Kujtesës

“Kurrë më”! Mesazhi i Presidenti Meta në Ditën e Kujtesës

27 janari është Dita Ndërkombëtare e Kujtesës. Presidenti Ilir Meta, në një mesazh në rrjetet sociale, tha se sot përkujtohen me nderim miliona viktima të pafajshme të mizorisë së pashpirt të Holokaustit, në mënyrë që antisemitizmi, mungesa e tolerancës, bashkëjetesës, dhe shkeljet e lirive e të drejtave të njeriut, të mos përsëriten kurrë më.

Presidenti sjell në vëmendje se dy dekada më parë në zemër të Europës, fatkeqësisht ishim dëshmitarë të masakrave e spastrimit etnik dhe fetar në Bosnje e Hercegovinë, dhe Kosovë.

”Gjenocide dhe akte të tilla çnjerëzore ndaj kujtdo që i përket një feje, etnie apo kombësie ndryshe, nuk duhet të ndodhin dhe nuk duhen lejuar të ndodhin kurrë më në botën ku jetojmë!”, shkruan kreu i shtetit.

Meta shprehet krenar për kombin tonë, që në periudhën më të errët të njerëzimit, mbrojti dhe mirëpriti mijëra hebrenj të larguar nga vendet e tjera, duke mos dorëzuar asnjë te pushtuesit.