Kryesore Anglia, në kërkim të studentëve: Fituesit dhe humbësit e universiteteve më të...

Anglia, në kërkim të studentëve: Fituesit dhe humbësit e universiteteve më të mira britanike

Fituesit dhe humbësit e universiteteve më të mira të Anglisë, falas për të gjithë. Universitetet elitare po tërheqin studentë, pasi ato më pak prestigjioze po tkurren

Është dita e shpalljes së rezultateve dhe telefonat në Universitetin e Exeter nuk pushojnë. Ky universitet është shumë më i madh në krahasim me një dekadë më parë, prandaj puna është njëkohësisht edhe më e madhe, shkruan The Economist.

Stafi i tij prej 120 personash, së bashku edhe me një numër të lartë studentësh, këshillojnë aplikantët që nuk kanë mundur të bëjnë në kohë aplikimet e tyre apo ata që nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme për t’u pranuar në universitet. Postera të shumtë të afishuar nëpër muret e universitetit u kujtojnë studentëve që të kontrollojnë rezultatet e lëndëve për të cilat nuk i kanë marrë përgjigjet.

Por gjëja më e rëndësishme, shprehet një prej studentëve, është se më në fund, ëndrra e tyre po bëhet realitet. Në Exeter, situata duket e qetë. Por për universitetet e tjera nuk mund të thuash të njëjtën gjë, madje ato janë shumë pranë panikut. E ardhmja e secilit institucion varet nga sigurimi i mjaftueshëm i studentëve që do të ndjekin aty studimet. Kjo pasqyron një ndryshim në politikën e qeverisë. Dikur universitetet kishin një kufi të caktuar të numrit të studentëve që do të pranonin.

Por, duke filluar nga viti 2012, kufizimet nisën të hiqen pak nga pak, deri sa ato u hoqën plotësisht në vitin 2015. Sipas z. Steve Smith, zëvendëskancelar në Exeter, ky vendim e ka përkeqësuar situatën. Ndryshimet këto vite ka qenë të shumta, thotë më tej z. Smith, por disa prej universiteteve më të mirë, atyre më elitare, si Oxford dhe Kembrixh, kanë kërkuar që të mos zgjerohen. Ndërsa disa universitete të tjera, edhe këto prestigjioze, u janë shumë mirënjohës studentëve që kanë zgjedhur të vazhdojnë studimet tek ata, sepse nëpërmjet tarifave që ata paguajnë, universitetet mund të subvencionojnë procesin e zhvillimit dhe kërkimit.

Numri i studentëve britanikë që janë bërë pjesë e Grupit Russell, një grup universitetesh me seli në Londër dhe të përqendruara kryesisht në kërkim e zhvillim, është rritur me 16% që nga heqja e kufizimeve. Ndërsa hyrja e studentëve të rinj në Universitetin e Bristol ka rënë me 62%, në atë të Exeter me 61% dhe në atë të Newcastle me 43%.

Aplikimet e studentëve në universitete si ato që dikur njiheshin si ish-politekniku, janë të ulëta. Aplikimet e studentëve në Universitetin e Metropolit në Londër kanë rënë me 42%, në Kingston me 33% dhe Southampton Solent me 28%. Universitete të tjera janë duke u përballur me vështirësi financiare. Universitetet janë të vetëdijshëm se ata po konkurrojnë me një numër të madh universitetesh të tjera rivale në drejtim të tërheqjes së studentëve dhe se gjeografia luan një rol të madh në përcaktimin e atyre universiteteve rivale.

Exeter, në Anglinë jugperëndimore, po mundohet të tërheqë studentë që jetojnë pranë autostradës M5. Mark Corver nga firma e konsulencës dataHE, thekson se universitetet e mëdha në Londër, të cilat pranojnë studentë edhe me rezultate jo shumë të larta, po përballen me vështirësi të ndryshme.

Kjo gjë ka ardhur kryesisht sepse një pjesë e madhe e nxënësve kanë dalë me rezultate të mira nga shkollat e tyre e mesme, duke u dhënë atyre mundësinë për të synuar më lart dhe për të ndjekur studimet në universitete më të mira. Me të njëjtën situatë po përballen edhe universitetet në zona të largëta të vendit, përfshirë atë të Cumbria dhe Aberystwyth.

Një ndër preferencat e para në listë të studentëve në zgjedhjet e universiteteve është kur ata janë shumë pranë kampusit të tyre. Exeter është një prej tyre. Të tjerët përfshijnë Aston, ku regjistrimet e studentëve të rinj britanikë shënuan një rritje prej 66% në krahasim me periudhën kur kampusi i këtij universiteti ishte shumë larg tij. Një tjetër është ai i East Anglia, ku regjistrimet e studentëve kanë shënuar rritje prej 34%, ndërsa në Bath regjistrimet kanë qenë rreth 24% më të larta. Universitetet të cilët nuk po tërheqin mjaftueshëm studentë duhet të përshtaten. Që nga prezantimi i sistemit të ri, pothuajse të gjithë universitetet kanë vendosur një kufi për tarifën maksimale, në 9,250 paund (11.250 dollarë amerikanë) në vit.

Duke qenë se pjesa më e madhe e studentëve kanë të drejtë të përfitojnë kredi qeveritare, të cilat ata nuk duhet t’i paguajnë deri në momentin kur të fitojnë më shumë se 25,725 paund në vit, nuk u bëjnë shumë përshtypje tarifat e vendosura nga universitetet, të paktën jo që ato të luajnë rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e tyre. Konkurrenca e çmimeve ka filluar të shfaqet në formën e bursave të plota. Mënyra më e zakonshme e universiteteve për të tërhequr më shumë studentë në ambientet e tyre është që të ulin nivelin e notave të pranimit, duke e bërë universitetin zgjedhjen e parë të studentëve me rezultate jo të larta në shkollën e mesme.

Sipas studimeve të fundit, rekrutimi i studentëve do të bëhet më i lehtë në vitin 2021, pasi numri i 18-vjeçarëve do të rritet. Para se të ndryshonin rregullat, Exeter kishte shkuar më tej, duke hequr departamente të cilat, sipas tij, nuk përdoreshin fare, si për shembull laboratorët e kimisë dhe duke i zëvendësuar ata me laboratorë të cilët kanë një frekuentim më të lartë, për t’u qëndruar sa më pranë studentëve dhe për t’u krijuar atyre kushtet ideale.

Në shkallë vendi, pritshmëritë e studentëve janë të ulëta, duke treguar se universitetet që pëlqehen prej tyre janë të pakta. Një prej masave që duhen marrë në këtë drejtim dhe mbi të gjitha, që duhen ndryshuar, është zhvillimi i pyetësorëve dhe formularëve jo kur studentët të kenë përfunduar studimet e tyre, por në momentin që janë duke i ndjekur ato.

Rritja e numrit të studentëve nuk është aspak garanci për krijimin e stabilitetit financiar dhe një shembull që mund ta reflektojë më së miri një situatë të tillë është ai në universitetin Cardiff dhe Surrey. Kjo gjë nuk është ngushëllim për numrin e vogël të universiteteve, të cilët po luftojnë për të tërhequr aplikantë dhe për të cilët thuhet se janë afër falimentimit. Ndryshimet në politikën e edukimit të lartë kanë shkaktuar të gjithë këtë situatë, prandaj përpara se të miratohen ato duhet të studiohen me kujdes. Rritja e studentëve që vazhdojnë të aplikojnë në universitetet elitare, është tregues se ato vazhdojnë të jenë një prej zgjedhjeve të para të studentëve të rinj britanikë.