Këshilli i Lartë i prokurorisë ka emëruar Arben Krajën si drejtues të ri të Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion.
Kraja mori 6 vota nga anëtarët e KLP ndërsa mundi në këtë garë dy kandidatët e tjerë Ervin Kondili dhe Altin Dumani.
Ai do të drejtojë për 3 vitet e ardhshme këtë institucion, i cili krijohet për herë të parë pas ndryshimeve kushtetuese në kuadër të Reformës në Drejtësi.
Kraja, i njohur si prokurori i çështjes së rrugës Durrës-Kukës, deklaroi gjatë prezantimit të platformës së tij një ditë më parë se Prokuroria për Krimet e Rënda ka dështuar në ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta apo atij të krimit të organizuar. “Struktura duhet të jetë e plotë dhe funksionale, duhet krijuar Qendra e Përgjimeve, që do fonde të konsiderueshme”, tha ai.
Kraja theksoi se korrupsioni nuk është luftuar si duhet deri tani dhe se SPAK duhet të jetë agresiv kundër paligjshmërive dhe në ushtrimin e funksioneve e detyrave.
Ai e vuri theksin tek bashkëpunimi mes prokurorëve dhe respektimin e pavarësisë dhe vendimmarrjes së gjithësecilit. Gjithashtu, Kraja tha se është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi me institucionet e tjera, organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë.
Kraja pohoi se prokurorët e SPAK do të arrinin të shmangnin ndikimin në punën e tyre pasi nuk i detyroheshin askujt për zgjedhjen e tyre.
Ai nënvizoi edhe rëndësinë e buxhetit për SPAK dhe BKH-në. Prokurori Kraja tha se ishte e rëndësishme të garantohej buxheti edhe për strukturën operacionale. Sipas tij, nëse drejtuesit nuk do t’i dukej i mjaftueshëm buxheti i parashikuar apriori në Buxhetin e Shtetit, atëherë të kërkojë rivlerësim sipas nevojave në Kuvend. Ai tha se struktura e pagës duhet të parashikohet me ligj dhe jo me VKM.