Ekonomi Ari, “fiksimi” i ri i Europës Lindore

Ari, “fiksimi” i ri i Europës Lindore

Ari është kryefjala e bisedave të liderëve nacionalistë të Europës Lindore sot. Vetëm këtë javë, qeveria polake riktheu në atdhe rreth 100 ton nga metali me vlerë duke ruajtur fuqinë ekonomike të saj. Nga krahu tjetër, në Hungari, Kryeministri anti-emigrantë, Viktor Orban  është mbështetur te asetet që njihen si parajsa të sigurta për sigurinë e rezervave.

Nxitimi për të blerë metalin e verdhë pasqyron hapat e Rusisë dhe Kinës për të diversifikuar rezervat që tejkalojnë 3 trilion dollarë, larg nga dollari, si pasojë e tensioneve gjeopolitike. Ish-kryeministri sllovak, Robert Fico, i cili ka shumë gjasa të rikthehet në pushtet i ka bërë thirrje së fundmi parlamentit që të nxisë bankës qendrore të marrë mbrapsht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës rezervat e arit që ka magazinuar. Fico i trembet një tradhtie nga ana e amerikanëve.

Polonia ka dyfishuar rezervat në ar gjatë dy viteve të fundit duke bërë që ekonomia më e madhe e Europës lindore të ketë edhe malin më të lartë të arit. Në Hungari rezervat e arit janë dhjetëfishuar vitin e kaluar. Edhe Aleksandar Vucic ka urdhëruar blerjen e 9 ton ar në Tetor. Ndër të tjera Vucic shtoi se duhet blerë më shumë ar pasi sipas tij ata po e shohin se në ç’drejtim po lëviz kriza në botë. Edhe Rumania kërkon të rialokojë disa nga rezervat e saj të arit që ka aktualisht në Britaninë e Madhe.