Aktualitet Arjan Konomi tregon se Hueyda e refuzonte lamtumirën: La një mesazh për...

Arjan Konomi tregon se Hueyda e refuzonte lamtumirën: La një mesazh për gratë, për jetën

Në një rrëfim te “Rudina”, Arjan Konomi tregoi se Hueyda El Said e refuzonte lamtumirën dhe prej kohësh e mbante të fshehtë gjendjen e saj.

Arjani, një nga miqtë e ngushtë të saj, u shpreh se ajo nuk i kishte treguar askujt për metastazat (kur kanceri përhapet në zona të tjera të trupit).

“Ajo me mua dhe një mikeshë tjetër të saj fliste, por as ne nuk na tregonte si ishte gjendja e saj shëndetësore. Gjithmonë kishte optimizëm, qeshte, merrte pjesë në biseda. E tregonte me aq pozitivitet (sëmundjen). Nuk donte të transmetonte as pikëllim dhe as të të bënte të ndiheshe keq.”

Arjani zbuloi se deri në momentet e fundit, Hueyda nuk e humbi optimizmin, madje u kishte dhënë energji të gjithë të sëmurëve në spital, duke organizuar ekspozita dhe aktivitete të tjera. Ai njoftoi se në bashkëpunim me bashkëshortin e Hueyda-s, Thierry-n, kanë dëshirë që të publikojnë shkrimet e saj.

“Hueyda ka shkruar shumë gjatë gjithë kësaj kohe. Ka mbajtur shumë shënime, ka treguar, ka rrëfyer. Nuk ka treguar gjatë kohës kur ishte sëmurë sepse nuk donte dhembshurinë e njerëzve, ama ka një testament si të thuash që më tepër do të jetë një mesazh për femrat, për gratë, për jetën dhe kujdesin që duhet të kemi ndaj shëndetit dhe sidomos ndaj tumorit në gji.”

Hueyda El Saied u nda nga jeta në moshën 46-vjeçare në 23 nëntor, si pasojë e kancerit të gjirit në fazë të zhvilluar. Kohët e fundit të jetës, ajo jetonte në Luksemburg së bashku me bashkëshortin Thierry dhe djalin Gabriel, i cili në korrik të 2021-it u birësua prej tij.

“Dhimbja është ende e pamatshme dhe trishtimi kaq i thellë, por unë dhe Gabriel duam t’ju falenderojmë për gjithë simpatinë e treguar dhe dallgët e dashurisë për Hueyda-n, dashurinë gjithpërfshirëse duke nisur që nga Tirana e saj e në të gjithë pjesët e tjera të botës. Faleminderit! Hueyda u largua si një yll vezullues me kokën lart pas një lufte të egër! Ajo tregoi kurajo dhe forcë absolute pa dështuar dhe pa u ankuar kurrë! Hueyda rrëmbeu admirimin e të gjithëve ne, por mbi të gjitha atë të dy fansave të më të mëdhenj në këtë luftë: Gabrielin dhe timen, dy dashuritë e saj.”- shkroi Thierry në Instagram.