Aktualitet Arrest në burg për Alda Klosin. Avokati: Deklarimi i Rozata Dobi është...

Arrest në burg për Alda Klosin. Avokati: Deklarimi i Rozata Dobi është i gënjeshtërt, po tenton të shpëtojë djalin

Alda Klosi dhe Rozeta Dobi

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë arrest në burg për Alda Klosin, e akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë para policisë.

Seanca u zhvillua në Gjykatën e Tiranës. Alda Klosi nuk ishte e pranishme në seancë, ndërsa përfaqësohej nga avokati i saj.

Alda Klosi ndodhet në spital për shkak të problemeve shëndetësore që shfaqi pas arrestimit.

Avokati i Alda Klosit, Ilirjan Muho, pas përfundimit të seancës, tha për gazetarët se deklarimi i pastrueses Rozata Dobi që çoi në arrestimin e ish-zyrtares, është i gënjeshtërt dhe që synon të lehtësojë pozitën e saj dhe të djalit.

“Ishte një deklarim i marrë ditët e fundit në datën 3 Shkurt kur u vendos dhe ndalimi. Është hera e katërt që pyetet dhe sa herë pyetet ka dhënë një version të ri për ngjarjen. Në deklarimin e datë 3 Shkurt ka pohuar që këto veprime i ka kryer në një marrëveshje të plotë me Alda Klosin. Është një gënjeshtër, është deklarim i pavërtetë. Nëse do ishte kështu, atëherë si është e mundur që kasaforta që sipas saj i është dhënë për ta mbajtur në ruajtje, si ishte e mundur që ishte hapur dhe është hedhur në kazan plehrash? Këto deklarime pohojnë që kemi të bëjmë me një shtetase që ka një qëllim të caktuar që bën një deklarim të tillë, të lehtësojë sadopak pozitën e saj sepse tashmë është e zënë me “presh në dorë” dhe të përpiqet të përfitojë sado të jetë e mundur një pozitë sa më të lehtësuar për djalin e saj”, deklaroi avokati.

Klosi u arrestua të premten pas deklarimeve të pastrueses Rozeta Dobi, se shuma e mbi gjysmë milioni euro ishte marrë në banesën e Klosit dhe se kjo e fundit ia kishte dhënë për t’i ruajtur.

Në dëshminë e dhënë para prokurorëve, Dobi është shprehur po ashtu se paratë në shtëpinë e ish-zyrtares vinin me kuti. Ajo ka rrëfyer se për herë të parë kishte gjetur shuma të mëdha parash, në vitin 2018.