Aktualitet Arrestimi i efektivit që kërkonte 7 mijë euro, policia jep detajet: Si...

Arrestimi i efektivit që kërkonte 7 mijë euro, policia jep detajet: Si e mashtroi qytetarin nga Elbasani

Policia e Elbasanit ka dhënë detaje mbi arrestimin në orët e para të mëngjesit të së premtes të efektivit Sokol Fana, i cili ka qenë me detyrë N/Specialist në Njësinë FAST Albania në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Burimet e policisë thanë se arrestimi i 26-vjeçarit erdhi pas denoncimit ndaj tij dhe më pas verifikimit se ai ka mashtruar një shtetas nga Elbasani.

“Ai ka paraqitur gjithashtu të dhëna të rreme para Oficerit të Policisë Gjyqësore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë e dy aparate celularë. Është bërë shoqërimi i tij në DVP Elbasan, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrim” i mbetur në tentativë, “Shpërdorim i detyrës”, “Kallëzim i rremë””, tha Policia.

Efektivi 26-vjeçar ka mashtruar shtetasin K.H., duke i thënë se nëse donte që të mos arrestohej nga Njësia “Fast” për llogari të drejtësisë italiane, duhet ti paguante Fanës 7 mijë euro.

NJOFTIMI I POLICISE

Strukturat hetimore të DVP Elbasan, ato operacionale të DPPSH në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit në Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Elbasan-Korçë kanë arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, S.F., me detyrë N/Specialist në Njësinë FAST Albania në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Arrestimi i 26-vjeçarit u krye pasi në shpërdorim të detyrës si punonjës i Policisë së Shtetit, ka mashtruar një shtetas nga Elbasani.

Ai ka paraqitur gjithashtu të dhëna të rreme para Oficerit të Policisë Gjyqësore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë e markës e dy aparate celularë. Është bërë shoqërimi i tij në DVP Elbasan, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrim” i mbetur në tentativë, “Shpërdorim i detyrës”, “Kallëzim i rremë”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me SHÇBA dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese vijon luftën kundër paligjshmërisë dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit.