Aktualitet Zhdukja e biznesmenit, policia: Po hetojmë për rrëmbim personi

Zhdukja e biznesmenit, policia: Po hetojmë për rrëmbim personi

Një biznesmen 43-vjeçar, baba i dy fëmijëve rezulton i zhdukur prej 13 ditësh. Denoncimi është bërë nga familjarët e tij, të cilët në polici kanë thënë se kanë 13 ditë që nuk kanë kontakte me të.

Mësohet i zhdukuri quhet Rruzhdi Hoxha dhe nuk dihet fati i tij. Deri tani bëhet me dije se policia ka marrë në pyetje një mikun e tij, i cili e ka takuar për herë të fundit.

Pas marrjes në pyetje është lënë i lirë, pasi ka thënë në polici se nuk ka dijeni për shokun e tij.

Policia në një njoftim për mediat sqaron se denoncimi është bërë nga djali i 43-vjeçarit dhe hetimet tashmë po zhvillohen për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Autoritetet sqarojnë se nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vazhdon puna e pandërprerë për gjetjen e shtetasit Ruzhdi Hoxha, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve që mund ta kenë rrëmbyer atë.

Deri tani dyshimet janë se ai mund të jetë larguar në drejtim të Zall Herrit dhe aty ka humbur gjurmët.