Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar pas interesimit të medias në lidhje me arrestimin e Dervish Hasit, një ditë më parë nga Policia e Tiranës për shfrytëzim prostitucioni ndaj një të miture.
Në reagimin e saj, KMSH-ja thotë se e gjen të pavend interesimin e lartë për një çështje që nuk i përket këtij institucioni, por sipas saj organeve ligjzbatuese të shtetit shqiptar. Më tej thuhet se KMSH distancohet nga çdo individ apo grup që keqpërdor fenë për qëllime të ulëta.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është një institucion fetar, i cili ushtron aktivitetin e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Është institucion që merret me jetën fetare dhe përçimin e mesazhit të qartë e të pastër islam në vendin tonë, gjë të cilën prej një shekulli e ushtron në përputhje me parimet më të larta fetare dhe konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Ne e gjejmë të pavend interesimin e lartë për një çështje që nuk i përket KMSh-së, por organeve ligjzbatuese të shtetit shqiptar. Komuniteti Mysliman, ashtu si çdo fe tjetër, nuk mban regjistër me të dhëna psikologjike apo devijime të natyrave të ndryshme të njerëzve, qofshin frekuentues ose jo të objekteve tona të kultit. Ne distancohemi nga çdo individ apo grup që keqpërdor fenë për qëllime të ulëta”, deklaron KMSH.
Komuniteti Mysliman Shqiptar i bën thirrje mediave dhe opinionit publik që të jenë korrekt dhe të kujdesshëm në citimet e tyre gjatë raportimit të ngjarjeve të ngjashme.
“Një individ që është objekt për organet ligjzbatuese nuk mund të jetë asgjë më shumë se kaq. Ne distancohemi nga çdo individ që kryen akte të ulëta e të shëmtuara, aq më tepër duke u strukur pas besimit. Islami është fe e paqes, moralit të lartë dhe drejtësisë!”, deklaron KMSH.
Dervish Hasi, kardiokirurg në Sanatorium, u kap një ditë më parë nga efektivët e Tiranës për shfrytëzim prostitucioni ndaj një të miture. Ai kishte 3 gra, ku asnjëra prej tyre nuk ka treguar gjë në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Familjarët e vajzës 16-vjeçare që kryente marrëdhënie seksuale me 42-vjeçarin Hasi janë shprehur se kanë qenë kundër marrëdhënies mes tyre, megjithëse nuk kanë mundur ta shkëpusin dot atë nga mjeku 42-vjeçar.
Por vetë vajza e mitur ka thënë për hetuesit se nuk është detyruar nga ai dhe se ka qenë zgjedhje e saj e lirë. Hasi ka pretenduar para grupit të hetimit se çdo marrëdhënie ka qenë me konsensus dhe se ata e konsideronin njëri-tjetrin si të martuar me hoxhë.