Aktualitet Arrestohet “prokurori” i SPAK që mashtroi qytetaren

Arrestohet “prokurori” i SPAK që mashtroi qytetaren

Vebi Brahimaj, 55-vjeçari që u denoncua disa ditë më parë në emisionin “Stop” për mashtrimin ndaj një qytetareje është vënë në pranga.

Policia njoftoi këtë të shtunë se 55-vjeçari u vu në pranga për “Mashtrim” dhe “Përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore”.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorim e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë arrestuan shtetasin Vebi Brahimaj, 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore””, njoftoi policia.

Vebi Brahimaj i ka marrë një shumë prej 10 mijë Eurosh një gruaje. Ai ishte prezantuar si prokuror në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe i kishte premtuar dyfishim trë parave për dy javë pasi i duheshin për një tender të uniformave policore.

Megjithëse koha kalonte, ai nuk ia kthente paratë zonjës në fjalë. Madje në emisionin “Stop” u publikuan disa pamje ku ai e ngacmonte seksualisht gruan ndërsa borxhin vetëm e shtynte.

E kur gruaja shkoi në ambientet e SPAK ku i dërgoi një video Vebi Brahimit, ky i fundit e kërcënoi me jetë dhe e shau me fjalët më të rënda.