Aktualitet Arrestohet punonjësi i Postës në Tropojë, shpallet në kërkim një tjetër

Arrestohet punonjësi i Postës në Tropojë, shpallet në kërkim një tjetër

Një punonjës i Degës Postare në Tropojë ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Policia bën me dije se qytetarët M.Ç 63 vjeç dhe Sh.D 52 vjeçe kanë kryer vjedhje duke shpërdoruar detyrën.

Gjithashtu Gjykata e Tropojës ka vendosur detyrim paraqitjeje për dy punonjëse të tjera, të akuzuara për shpërdorim detyre.

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan shtetasin M. Ç., 63 vjeç, banues në fshatin Llugaj, si dhe shpallën në kërkim shtetasen Sh. D., 52 vjeçe, banuese në fshatin Shoshan, Tropojë, me detyrë punonjës të Degës Postare Bajram Curri, Tropojë.

Për këta dy shtetas, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, e cila iu ka caktuar atyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë u bë ekzekutimi i masave “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të caktuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetaset:

Xh. V., 59 vjeçe dhe Ç. Q, 32 vjeçe, banuese në fshatin Paç, punonjëse të Degës Postare Bajram Curri, Tropojë.