Berat Djimsiti ishte protagonist i intervistës së fundit nga lojtarët e Atalanta për formatin “StarCasinò”, që synon t’i bëjë ata më të njohur për publikun, nëpërmjet pyetjeve të drejtpërdrejta të tifozëve.
Pas tri vitesh në Itali, ka ardhur koha që mbrojtësi i kombëtares kuqezi të flasë edhe mbi përvojat e mëparshme: “Dallimet midis kampionatit italian dhe atij zviceran janë të shumta. Mbi të gjitha, diferencat janë taktike. Kësaj pjese i jepet shumë më tepër vëmendje këtu. Pastaj, në Serie A, shumë ekipe mund të fitojnë në çdo fushë”.
Prej tri sezonesh luani në Seria A. Cila është diferenca e këtushme me kampionatin zviceran, ku je aktivizuar më parë?
Diferenca, sipas meje, është e madhe. Në fillim nuk m’u duk shumë ndryshe, por sa më shumë që të luash këtu, aq më shumë e kupton se është krejt tjetër, sidomos taktikisht. Eksperienca, sipas meje, përbën diferencën e madhe, sepse këtu luajnë dhe futbollistë me moshë 36, 37 apo 38 vjeç.
Në sezonin aktual keni luajtur ndaj sulmuesisht shumë të fortë. Dy prej tyre, Icardin dhe Ronaldon, i keni neutralizuar në Kupën e Italisë. Cili ka qenë futbollisti më i forte, që keni markuar në karrierë?
Kam pasur mundësi të luaj ndaj sulmuesve të mëdhenj. Njëri prej tyre nuk është tani, por në vitin që erdha në Itali, në ndeshjen time të parë, ai që më impresionoi ishte Higuain. Ai e mbylli sezonin me 36 gola. Shënonte thuajse nga dy gola për ndeshje.
Tek Atalanta keni zgjedhur fanellën me numrin 19, që tifozëve iu kujton German Denis? Përse bëtë këtë zgjedhje?
Më kujtohet ai lojtar, sepse ishte këtu deri 1-2 muaj para se të vija unë. Zgjodha këtu numër, sepse kam lindur më 19 shkurt. Në fakt, mua më pëlqen numri 5, por ishte i zënë këtu tek Atalanta.
Cili është momenti më i bukur me Atalanta, në këtë sezon?
Kemi kaluar shumë momente të bukura këtu. Ndoshta në fillim të sezonit pak më pak, por goli ndaj Interit, në ndeshjen e parë, ishte padyshim momenti më i bukur i imi.