Sport “Asgjë nuk do të jetë më si më parë”! Beteja e Iniestës...

“Asgjë nuk do të jetë më si më parë”! Beteja e Iniestës me depresionin nga Covid

Fantazmat e Iniestas janë rikthyer nga koronavirus. “Sa herë që shoh foton e një ndeshje apo stadiumi plot, ndihem i dëshpëruar”, ka rrëfyer Andres për Guardian. Kampioni spanjoll, ish-ylli i Barcelonës, po kalon ditë të vështira në shtëpinë e tij në Kobe, në Japoni, ku jeton  që pas largimit nga Barcelona. Fusha është larg dhe ai vuan. Ditë vetmie dhe pritje, e në sfond është kujtimi i pa fshirë, i kohës që e shtyu atë në humnerën e depresionit. Një kohë e largët dhe e kaluar, por që duket sikur po rikthehet.

Koronavirusi dhe bllokimi i kampionatit kanë trazuar jetën e dytë sportive të Iniesta, kampion Bote dhe Evrope me Spanjën, futbollisti gjenial, aq shumë i dashur nga të apasionuarit e futbollit. Tani luan për Vissel Kobe, stacioni i fundit përpara lamtumirës, por këtë vit kampionati nuk pati kohë as të fillonte në 21 shkurt, sepse u ndalua më 25 për shkak të Covid-19. Që atëherë, 55 ditë mes pritjes e shtyrjeve të vazhdueshme. “Ne duhej të fillonim më 15 mars, pastaj 29 mars, pastaj 6 maj, tani 9 maj. Por kush e di? Dhe kjo në një vend që është një model i menaxhimit të pandemisë, ku për fat të mirë, situata duket se është nën kontroll“. Që nga shpërthimi i pandemisë, kampioni spanjoll jeton i mbyllur në shtëpinë e tij në Kobe me gruan dhe katër fëmijët. Nuk del gati kurrë, edhe pse mundet: lajmet nga Spanja na “dëshpërojnë”, thotë. Bën gjimnastikë në shtëpi e pret. “Do të ketë një para e një pas koronavirus”, komenton ai, duke ëndërruar ditën kur mund të luajë përsëri. “Ndihem mirë, jam i motivuar, dua të vazhdoj të luaj. Jam i lumtur që jam këtu”.

“Që nga fillimi i pandemisë – thotë Iniesta – shkollat u mbyllën, manifestimet e masës u anuluan. Përdorimi i maskës e masave higjienike këtu janë gjëra normale dhe kjo ka kontribuar në zvogëlimin e përhapjes së virusit. Tani ne jemi thjesht duke pritur, duke qëndruar në shtëpi, duke dalë sa më pak të jetë e mundur. Në terma afatshkurtër e afatmesëm, virusi është i destinuar të ketë një impakt social e ekonomik në të gjithë nivelet. Futbolli është pjesë e shoqërisë, nuk mund të shpëtojë. Kjo do të ketë një ndikim; do të ketë masa që do të mbesin gjithmonë, ndryshime, para dhe pas. Ne duhet të përpiqemi të përfitojmë sa më mirë nga një situatë e tmerrshme. Asgjë nuk do të jetë më si më parë”.