Karriera e Antoine Griezmann është vazhdimisht në rritje. Pas sukseseve të tij me Atletico Madrid dhe “diplomimit” si kampion botëror me Francën e tij, “le petit diable” (djalli i vogël) hodhi një hap shumë të rëndësishëm verën e kaluar: iu bashkua një klubi të shkëlqyeshëm si Barcelona. Sulmuesi transalpin, në një intervistë të dhënë për La Liga, të publikuar nga DAZN, zbuloi se çfarë do të thotë të luash me fanellën blaugrana: “Është një krenari. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Babai është shumë i lumtur që e sheh djalin e tij duke luajtur te Barcelona. Dua të shkruaj histori në këtë klub. Unë duhet të punoj për ta bërë këtë, që të jem vërtet i rëndësishëm. Jam këtu pikërisht për këtë”.
Për Griezmann, Barcelona përfaqëson një realitet krejt të ri: “Unë jam duke mësuar, duke parë gjëra të reja dhe duke u përpjekur për t’u integruar në mënyrën më të mirë në këtë grup. Jam shumë i lumtur që jam këtu, po argëtohem. Shpresoj të përmirësohem si në gola, ashtu edhe në asiste. Po e përsëris, po adaptohem, po përpiqem të mësoj taktikën sa më shumë që të jetë e mundur. Këtu luhet një lloj tjetër futbolli. Ndihem mirë edhe fizikisht e mendërisht. Dua vetëm të punoj, të stërvitem dhe përmirësohem”.
Te Barcelona, ish-ylli i Atletico Madrid ka mundësinë të luajë me një lojtar të shkëlqyer të futbollit botëror, si Leo Messi: “Unë e shoh Messin çdo ditë, përpiqem të kuptoj lëvizjet e tij, ose të lëviz mirë kur ai ka topin. Synoj një bashkëpunim më të madh. Leo është lojtari më i fortë në botë dhe është bukur ta ndash fushën me të”.
Kalimi te Barcelona përfaqësoi një hap të mëtejshëm në karrierën e tij: “Jam i lumtur, me dëshirën për të bërë gjithnjë e më shumë. E kam pritur këtë moment prej një kohe të gjatë, sepse si kundërshtar nuk kam pasur mundësi të shënoj në “Camp Nou”. Më vjen mirë që e bëra për herë të parë me këtë fanellë”.
Pavarësisht se është francez, Griezmann ka një karrierë, që u zhvillua tërësisht në Spanjë: “I kam shumë borxh Real Sociedad, sepse, kur fillova, ishte klubi i parë që besoi te mua. Ai më dha gjithçka për të qenë i lumtur, si brenda dhe jashtë fushës. Ishin ata që më bënë të nënshkruaj kontratën e parë profesionale. I kam borxh shumë. Dhe pastaj Atletico Madridit. Tifozët, Cholo Simeone, shokët e skuadrës…; ishte një përvojë e bukur, në momentin më të mirë të karrierës sime. Momentet e mira me shokët e mi të skuadrës, me tifozët, nuk do t’i harroj kurrë. Tani jam këtu te Barcelona, në klubin më të madh në botë. Është një sfidë e re, stil i ri loje, shokë të rinj, kjo është arsyeja pse po adaptohem pak e nga pak”.
Griezmann ka zbuluar se cilat janë ëndrrat e tij për të ardhmen: “Dua të fitoj La Liga, Champions-in, Kupën e Mbretit, Kampionatin Europian, një tjetër Kupë Bote, shumë gjëra. Kështu do të bëja të lumtur edhe familjen, miqtë e mi”.