Aktualitet  “Ata që shkruan aktin normativ, nuk ia kanë haberin ç’do të thotë...

 “Ata që shkruan aktin normativ, nuk ia kanë haberin ç’do të thotë të të prishet dasma”

Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu ka mbështetur protestën e pronarëve të lokaleve në Lezhë, të cilët pretendojnë se policia po ndalon zhvillimin e dasmave vetëm në lokalet e tyre, ndërsa në zona të tjera puna vijon si normalisht.

Në një mesazh në Facebook, Ndreu shprehet se “është e qartë se ka diskriminim me qytetet e tjera”, pasi “në Shkodër, Tiranë, Durrës, Vlorë nuk i ndalon askush dasmat”.

Ndreu tha se ata që kanë shkruar aktin normativ që ndalon organizimin e dasmave në lokale për shkak të pandemisë së koronavirusit, “si duket s’e kanë haberin se ça do me thënë me të prishë dasmën”.

Një ditë më parë, pronarët e lokaleve të dasmave në Lezhë protestuar kundër trajtimit më të ashpër që policia ka bërë ndaj tyre.

Pronarët thanë se dasmat e anuluara në lokalet e tyre, tani i kanë marrë lokalet në Kurbin e Mirditë që vazhdojnë të qetë punën.

Dy javët e fundit në Lezhë janë ndëshkuar 12 lokale që zhvillonin dasma.

Sipas aktit normativ të qeverisë, ndalohet grumbulli i qytetarëve në ambiente të mbyllura. Bizneset më të prekura nga kjo masë janë dhe lokalet që organizojnë dasma dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre.