Kryesore Atentati ndaj prokurorit Ndoja/ Mbi 40 persona të shoqëruar, asnjë i dyshuar

Atentati ndaj prokurorit Ndoja/ Mbi 40 persona të shoqëruar, asnjë i dyshuar

Dy ditë pas atentatit të trefishtë ndaj prokurorit Arjan Ndoja, mikut të tij Aleksandër Laho, i njohur edhe me nofkën “Rrumi” dhe shoferit Andi Maloku, policia dhe prokuroria ende nuk kanë asnjë person të identifikuar për këtë ngjarje të rëndë.

Gjatë këtyre dy ditëve në Policinë e Durrësit janë kryer mbi 40 shoqërime të personave që mund të kishin dijeni për ngjarjen, kryesisht persona të skeduar më parë për krime të ndryshme, ose që mund të jenë pjesë e dosjeve të hetuara nga prokurori Ndoja.
Por, deri më tani nuk ka asnjë person konkret të ndaluar apo të dyshuar për ngjarjen.

Po ashtu grupi hetimor ka identifikuar edhe një makinë tip Skoda që është ndaluar pranë vendit të ngjarjes. Për këtë po punohet për verifikimin nëse ka lidhje me autorët, apo ishte rastësisht në vendin e atentatit.

Sakaq, prokurori Arjan Ndoja dhe miku i tij Aleksandër Laho vijojnë të jenë nën vëzhgimin e mjekëve në Spitalin Rajonal Durrës. Ndërsa shofer vazhdon të luftojë për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Prokurori Ndoja ka lënë Repartin e Reanimacionit që prej mëngjesit të së shtunës dhe vijon të mbahet nën kujdesin e mjekëve në dhomën personale ku ndodhet i shtruar. Në gjendje pak më delikate shëndetësore, por pa rrezik për jetën, ndodhet Laho, i cili vijon të marrë ende trajtim mjekësor në Repartin e Reanimacionit.
Të dy të plagosurit e atentatit të dy ditëve më parë mbahen po ashtu nën vëzhgim të rreptë nga forcat e rendit, ndërsa janë lejuar vetëm vizitat e familjarëve të tyre.