Aktualitet ATENTATI/ Zamir Kalemi u mbajt në vëzhgim sapo doli nga shtëpia

ATENTATI/ Zamir Kalemi u mbajt në vëzhgim sapo doli nga shtëpia

Zamir Kalemi i cili ra preh e një atentati mbrëmjen e së shtunës në afërsi të rrethrrotullimit të Selitës, dyshohet se u mbajt në vëzhgim nga autorët sapo la banesën e tij në zonën e Kodrës së Diellit.

40-vjeçari ka dalë nga shtëpia pak orë para ngjarjes, dhe më vonë ka lëvizur me automjetin e tij në drejtim të zonës së Astirit.

Në këtë zonë ka qenë dhe ndalesa e fundit përpara se të plagosej. I pyetur nga hetuesit lidhur me personat që mund të ketë takuar në atë zonë, Kalemi është treguar tejet i rezervuar.

Në këto kushte hetuesit kanë përqëndruar vëmendjen tek pamjet e kamerave të sigurisë në të gjithë itinerarin e lëvizjeve të 40-vjeçarit.

Ndonëse deri në këtë fazë nuk është evidentuar ndonjë person apo automjet që ka monitoruar lëvizjet e tij, ka dyshime të forta se ai ka qenë në vëzhgim nga autorët prej disa orësh.

Për identifikimin e tyre policia ka vënë në dispozicion 15 mijë Euro shpërblim. Hakmarrja është pista kryesore që po heton policia, ndonëse vetë Zamir Kalemi ka mohuar të ketë konflikte.

Megjithatë policia dhe prokuroria dyshon se ky atentat ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.

Kjo pasi 40-vjeçari rezulton të jetë i afërm i Aleksandër Sadikajt, i cili u vra me eksploziv më 11 Qershor 2022 në autostradën Tiranë-Elbasan, si dhe vëllai i Andrea Kalemit, ndaj të cili ka patur dy herë tentativë për ta ekzekutuar./Tv Klan