Opinione “GJURMË HERSHMËRIE” – Të duash vendlindjen është detyrim dhe mrekulli

“GJURMË HERSHMËRIE” – Të duash vendlindjen është detyrim dhe mrekulli

 “Mënyra më e mirë për të rritur dashurinë që ndjejmë për atdheun tonë është të qëndrojmë për ca kohë në një vend të huaj.”

(William Shenstone, 1714–1763, poet britanik)

“I vetmi vend që çdo njeri ka të drejtë të dashurojë është ai ku ka një ekuilibër gjykimesh, një drejtësi të bazuar në mençuri, një shpirt të lirë dhe një mendje të matur.”

(Learned Hand, 1872–1961, filozof amerikan)

Këto dy aforizma të famshme shprehin bukur e qartë dashurinë që njeriu duhet të ketë për atdheun dhe për vendlindjen e vet.

Kur njeriu është larg vendlindjes për një kohë të gjatë, atij gjithnjë e më shumë i shtohet dashuria dhe ëndrrat ndaj saj. Të ëndërrosh shtëpinë tënde, kopshtin, malet, kodrat, këmborët dhe fytyrat e njerëzve që ke takuar në rrugë, natyrisht që kjo të jep një ndjenjë, një ngazëllim dhe një lumturi shpirtërore, sepse për ata që janë larguar prej kohësh nga vendlindja e tyre, i vetmi përqafim me tokën e tyre është që ta ëndërrojnë atë.

Të duash vendlindjen duhet të dish se si t’i duash njerëzit e saj. Vendlindja ruan një aromë të veçantë, të cilën vetëm ata që kanë lindur atje ose ata që e kanë dashur atë, mund ta nuhasin aromën e saj. Kjo është gjëja më e mrekullueshme për këdo që e do me shpirt e me zemër vendlindjen e vet.

DISA TË DHËNA HISTORIKO – GJEOGRAFIKE DHE KLIMATIKE TË LIBOHOVËS.

Libohova, ku bën pjesë edhe lagjja Teqe Fushë, shtrihet në një sipërfaqe prej 248.24 km2 me një densitet prej 28.83 banorë/km2. Ajo ndodhet në juglindje të Gjirokastrës rreth 11 km në rrugë ajrore dhe 17 km në rrugë automobilistike, e shtrirë në këmbët e malit të Buretos. Lartësia e qytetit mbi nivelin e detit varion nga 320 deri 800 m. Libohova kufizohet: në perëndim me lumin e Drinos, në veri me Labovën e Kryqit dhe me lumin e Suhës, në jug me Nepravishtën dhe nga lindja me malin Bureto. Koordinatat e shtrirjes të saj gjeografike janë: 40°12′ V; 20°10′ L / 40.2°V; 20.16°L

Prejardhja e emrit “Libohovë”

Emrin Libohovë duhet ta ketë marrë pas shekullit VI, pasi sllavët u dyndën dhe pushtuan Arbërinë. Mbi këtë emër mendohet të ketë dy kuptime:

I pari: Libohova – vend buzë fushës, luginës.

I dyti: Libo – do të thotë i dashur me kuptimin vend i bukur dhe prapashtesa përkëdhelëse ovo.

Për gjenezën e qytetit ka pikëpamje të ndryshme ende të pakonsoliduara për shkak të mungesës së gërmimeve arkeologjike dhe burimeve historike. Një pjesë e studiuesve mendojnë se qyteti daton aty rreth shekullit VII para Krishtit. Kjo dokumentohet nga varret pagane të gdhendura në shkëmb të tipit sarkofag që ndodhen në lëmin e Matit dhe në shpellën e lagjes Linua në qendër të qytetit. Këta varre shprehin karakteristika që i gjejmë vetëm tek varret romake të periudhës së para Krishtit. Ekzistenca e këtyre varreve tregon se Libohova ka qenë e banuar 4 – 5 shekuj para Krishtit.

Emri i kohës së lashtë ishte Dhryopi, e shpjeguar si fjalë pellazgjike dhe e lidhur me emrin “dru-lis, pyll, natyrë”. Mbi këtë emër hedh dritë edhe Pouqeville (diplomat, shkrimtar dhe historian francez), ku shkruan në një nga librat e tij: “Në anën e djathtë nga lindja e Celydnusit (lumit Drino) është e vendosur Libohova, ku sundon Shanishaja, kryelarta dhe e pamëshirshmja “Zonja e Dryopias”.

Ndërsa studiuesi Moikom Zeqo mendon se ka mundësi që Libohova të lokalizohet me një emër të vjetër që përmendet në hartat e lashta dhe që thirret Elaeus. Ky është një variant. Varianti i dytë sipas tij është përmendja e një qyteti antik me emrin Omfalius.

Moikom Zeqo dhe studiues të tjerë e lidhin krijimin e qytetit me krijimin e qendrave të mëdha në luginën e Drinos si Antigonea, Adrianopoli etj. (shek. IV-para Krishtit). Libohova si qendër përfshihej në fisin ilir të Atintanëve në kufirin më verior të Molosëve.

Në Mesjetë Libohova bëhet një qendër e rëndësishme, ndërsa fortifikimi kështjellor ka qenë para se të ndërtohej kalaja e Aliut. Në fillim të shekullit XV, ajo pushtohet nga turqit dhe kthehet në një qendër të rëndësishme urbane. Për këtë dëshmojnë në shkrimet e tyre personazhe të njohur si: kronikani dhe udhëtari i famshëm turk Evlia Çelebiu, Lord Bajroni, diplomati dhe historiani francez François Pouqeville etj. Në vitet 1920-1940 Libohova ishte një nga qendrat administrative më të rëndësishme të Jugut ku përfshinte si nënprefekturë edhe zonat e Pogonit, Dropullit të Sipërm dhe fshatrat e Rrëzës së Zezë. Në këtë kohë u zhvillua edhe pazari i Libohovës me rreth 43 dyqane. Në vitet 1944-1990 Libohova ishte një qytet që e mbështeste ekonominë e familjeve tek bujqësia dhe blegtoria dhe në disa njësi të vogla prodhuese që u krijuan në këtë zonë.

Sipas kujtimeve të arkeologut Moikom Zeqo citohet se Libohova si qendër urbane është shumë e hershme, të paktën që nga shekulli IV-III para Krishtit. Kjo na vjen si fakt pasi në luginën e Dropullit të sotëm, në Jugun e Shqipërisë, që është edhe pjesë e Epirit iliro-shqiptar, si qendër administrative ka qenë qyteti antik i Antigonesë, i ndërtuar nga Pirroja i Madh për nder të gruas së tij, Antigonës. Qyteti i Antigonesë, i ndërtuar në mal dhe i fortifikuar, shpreh situatën e luftërave të kohës dhe të mbrojtjes.

Antigonea është sekreti i madh i një vargu qytezash ilire të quajtura “qyteza asteroide”, si Libohova, Labova, Melani etj., që kanë qenë shumë të rëndësishme për kryeqendrën, Antigonenë, në të gjitha kuptimet. Në këtë periudhë antike Libohova ka pasur një emër fillestar antik. Studiuesi i madh i hartave të vjetra, Kiperti, në bazë të gradëve dhe dimensionit real gjeografik, në pozicionin e sotëm të Libohovës, vendos një qytet të lashtë me emrin Orestia, disa të tjerë e quanin Omfalion, apo edhe Elaeus.

Arkeologu Moikom Zeqo shprehet se për një gjë është i sigurt: “Emri fillestar antik i Libohovës ka qenë ndryshe nga toponimi i sotëm sllav, që për mendimin tim del i fiksuar si ndërtim emërtimi topononimik, mbas 12 shekujsh, pra nga shekulli VIII ose IX gjatë pushtimit të perandorisë bullgare”.

Ky toponim sllav ka mbetur deri më sot. Në shekullin II pas Krishtit jeta administrative e Antigonesë vdes dhe perandori romak Adriani ndërton në fushën e Dropullit kryeqendrën e re zëvendësuese, qytetin me emrin e vet, Adrianopolin (nga vjen edhe toponimi Dropull) në epokën e Pax Romanas (Paqes Romake), ndaj ky qytet nuk ka mure fortifikuese.

Libohova mbetet përsëri një “qytezë asteroide” e Andrianopolit. Në shekullin VI pas Krishtit, pra mbas 4 shekujsh në epokën e trazuar plot luftëra të perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh, Andrianopoli vdes si kryeqendër administrative dhe këtë rol madhor e merr qyteti i Gjirokastrës.

Por duhet thënë se Libohova, në pikëpamje kohore, është gati 10 shekuj më e lashtë se qyteti i Gjirokastrës.

Besnik Ismailati

Libohovë