Personi i parë që testoi pozitivisht për koronavirusin e ri nga një treg ushqimor në Wuhan ku filloi pandemia që më tani ka vrarë mbi 22,000 njerëz dhe infektuar mbi 486,000 të tjerë, ka të ngjarë të jetë një grua që shiste karkaleca të gjallë në atë treg.
Zonja Wei jetonte në një banesë me qira më pak se 500 metra larg nga tregu dhe ndjeu ethe të forta më 11 dhjetor, citon gazeta kineze “The Paper”.
Duke menduar se ishte gripi sezonal, ajo shkoi në një klinikë të vogël dhe të mbushur me njerëz aty pranë për të kërkuar këshilla mjekësore, por as injeksionet që i dha mjeku nuk e shëruan sëmundjen e saj. Gazeta nuk zbuloi identitetin e plotë të zonjës Wei, por sipas “The Wall Street Journal” ajo është 57 vjeç dhe emri i saj i plotë është Wei Guixian.
Zonja Wei, që besohet se tashmë shëruar plotësisht, kujtoi simptomat e saj fillestare në gazetën “The Paper”. “U ndjeva pak e lodhur, por jo aq e lodhur sa vitet e kaluara. Çdo dimër, gjithmonë vuaj nga gripi. Kështu që mendova se ishte gripi”, u shpreh ajo.
Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha në janar se koronavirusi i ri kishte kaluar te njerëzit nga kafshët e egra që shiteshin për t’u ngrënë në Tregun e Peshkut Huanan, ku punonte zonja Wei.
Tregtarja tha se ajo vazhdoi të shiste fruta deti në treg ndërsa ishte e sëmurë dhe shkoi në një spital më të madh, Spitalin Nr.11 të Wuhanit, për një mendim të dytë më vonë.
“Doktori në Spitalin Nr.11 nuk arriti dot të kuptonte se çfarë po ndodhte me mua dhe më dha disa pilula”, thotë tregtarja e karkalecave. Ajo i piu ilaçet, por nuk u ndje më mirë. Më pas u kthye në klinikën e vogël për të kërkuar më shumë injeksione.
“Por atëherë u ndjeva shumë më keq dhe me një këputje totale. Nuk kisha forcë dhe energji të mjaftueshme”, shprehet gruaja.
Më në fund, më 16 dhjetor, ajo u drejtua në një nga spitalet më të mëdha të qytetit, Spitalin Union Wuhan, për një kontroll më të specializuar.
Atje, një doktor e përshkroi sëmundjen e saj si “të pamëshirshme”, ndërsa i tha se edhe persona të tjerë nga Tregu Huanan kishin ardhur tashmë me simptoma të ngjashme. “Në atë kohë, kishte shumë njerëz në spital”, shtoi ajo.
Sipas një deklarate të datës 31 dhjetor 2019 nga Komisioni Shëndetësor Komunal Wuhan, zonja Wei ishte një nga 27 pacientët e parë të diagnostikuar me koronavirusin e ri. Mes tyre, 24 kishin lidhje direkte me Tregun Huanan. Por autoritetet në atë kohë thanë se nuk kishte asnjë provë se virusi mund të kalohej nga njeriu te njeriu.
Megjithatë, identiteti i të sëmurit të parë me Covid-19, i njohur gjithashtu si “pacienti zero”, mbetet ende një mister në Kinë.
Megjithëse zonja Wei është e para që testoi pozitive në treg, pacienti i parë i njohur me koronavirusin e ri raportohet të jetë një pensionist rreth të 70-ave që gjendej i sëmurë në gjendje shtrati. Njeriu pa emër zhvilloi simptoma më 1 dhjetor dhe nuk kishte qenë më parë në Tregun e Peshkut, tha një mjek për BBC.
Sidoqoftë, të dhënat e klasifikuara të qeverisë kineze treguan se rasti i parë i një personi që vuante nga Covid-19 mund të gjurmohet deri në 17 nëntor, njoftoi gazeta “South China Morning Post”.
Data është më shumë se shtatë javë para se zyrtarët kinezë njoftuan se kishin identifikuar një virus të ri dhe mbi dy muaj para se qytete të ndryshme të rajonit të hynin në bllokim për të ndalur përhapjen e virusit.
Të dhënat e pabotuara treguan se autoritetet kineze kanë identifikuar të paktën 266 persona të infektuar para 31 dhjetorit – një kohë kur autoritetet në Wuhan ishin të zënë me ndëshkimin e një grupi mjekësh që dhanë alarmin për një sëmundje të re që ngjasonte me SARS-in.
Zyrtarët kinezë pretendojnë se pacienti i parë i koronavirusit u sëmur më 7 dhjetor.
Këto kohë kur numri i infeksioneve në Wuhan ra në zero por u rrit në Evropë e gjetkë, Pekini zyrtar tani po hedh poshtë vlerësimin e pranuar gjerësisht se qyteti i Wuhanit është vendlindja e shpërthimit global. Dr Zhong Nanshan, udhëheqësi i një ekipi ekspertësh të emëruar nga Kina për të trajtuar krizën shëndetësore, javën e kaluar mohoi që virusi e kishte origjinën në Wuhan dhe i konsideëroi këto pretendime si “të papërgjegjshme”.
“Epidemia e koronavirusit të ri në të vërtetë u zhvillua në Kinë, në Wuhan … por nuk do të thotë që burimi i saj është në Wuhan”, tha Dr Zhong në një konferencë për shtyp.