Aktualitet Azilantët shqiptarë, problem edhe në Irlandë

Azilantët shqiptarë, problem edhe në Irlandë

Numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë dhe gjeorgjianë, pas Francës po shqetëson edhe Irlandën. Shqetësimin e ngriti kryeministri irlandez Leo Varadkar, i cili në një intervistë për shtypin vendas shprehet se ata shfrytëzojnë rrugë të jashtëligjshme për të hyrë në Irlandë. Edhe pse anëtare e Bashkimit Europian, Irlanda nuk është pjesë e hapësirës Schengen për lëvizjen e lirë.

“Ata vijnë me dokumente false, të cilat pas mbërritjes këtu i zhdukin dhe paraqiten në zyrat e refugjatëve pa dokumente. Qeveria ka vendosur të forcojë kontrollet nëpër aeroporte për t’u ndaluar hyrjen. Po bisedojmë me kompanitë ajrore për t’i kthyer pas”.

Statistikat zyrtare tregojnë se 460 shqiptarë kërkuan azil në Irlandë. Ata renditen të parët dhe përbëjnë 13% të totalit të kërkesave nga e gjithë bota.

10 kërkesa më pak janë bërë nga gjeorgjianët, ndërsa sirianët që plotësojnë të gjitha kushtet për azil pasi vendi i tyre ndodhet prej 8 vitesh në luftë kanë paraqitur 9% të kërkesave.

Shqiptarët dhe gjeorgjianët nuk përfitojnë azil në vendet e Bashkimit Europian pasi Shqipëria dhe Gjeorgjia konsiderohen vende të sigurta origjine.