Politika Balla kërkoi që të hetohej Berisha për dosjen CEZ, ish-kryeministri akuzon Ramën...

Balla kërkoi që të hetohej Berisha për dosjen CEZ, ish-kryeministri akuzon Ramën dhe Gjiknurin

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kthyer përgjigje pyetjes së gazetarëve këtë të premte nëse i frikësohet një hetimi nga SPAK pasi ditën e djeshme nga seanca plenare, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla bëri thirrje që të hetohet edhe Berisha sa i përket dosjes CEZ.

Lideri historik i demokratëve tha se nuk ka asnjë problem pasi do të dështojnë siç kanë dështuar “në mënyrë ekzemplare”. Sipas Berishës, CEZ është një nga aferat më gjigande të korrupsionit në Shqipëri.

Por ai u shpreh se qeveria e tij asokohe bëri vlerësimet dhe arbitri ndërkombëtar që zgjodhi Shqipëria ishte besimplotë që Shqipëria do të fitonte gjyqin me kompaninë. Por sipas Berishës kjo ndryshoi kur në qeveri erdhi Rama që sipas tij firmosi marrëveshje bashkë me Damian Gjiknurin me CEZ.

Dje është njoftuar që SPAK do të nisë hetimet sa i përket dosjes CEZ. Zoti Balla ditën e djeshme bëri thirrje që të hetohet edhe Sali Berisha. A i druhet Sali Berisha një hetimi nga SPAK në kushtet kur SHBA kanë deklaruar që do të bëjnë gjithçka për të luftuar korrupsionin në Shqipëri?

Sali Berisha: Sa i përket çështjes jo një, por 120 çështje të dërgojnë dhe siç kanë dështuar do dështojnë në mënyrë ekzemplare. CEZ-i pa diskutim është afera më gjigande që di unë e korrupsionit në Shqipëri. Në ç’kuptim? Shqipëria kishte një arbitrazh me kompaninë CEZ dhe ky arbitrazh para se të shkonte Shqipëria kërkoi vlerësimet me kompanitë ndërkombëtare të pretendimeve të Shqipërisë. Ato vlerësime u bënë. Kompani më serioze ndërkombëtare faktuan se CEZ i detyrohej shtetit shqiptar 630 milionë Euro me fatura të vërtetuara dhe i detyrohej 3.2 miliardë Euro me dëmet e krijuara. Arbitri ndërkombëtar, është me dokumente kjo, që zgjodhi Shqipëria, ishte besimplotë dhe shpresëplotë që Shqipëria fiton gjyqin. Përveç kësaj, qeveria dërgoi drejtues të kompanisë për ndjekje penale. Çfarë ndodhi? Ndodhi Edi Rama. Firmosi marrëveshje bashkë me Damian Gjiknurin me CEZ-in. Pranuan të gjitha kushtet e CEZ, shmangën arbitrazhin, dënuan Shqipërinë me një humbje të tmerrshme. Të paktën të sigurta ato që ishin fatura, 630 milionë Euro dhe po them një pjesë të atyre dëmeve të krijuara nga CEZ rreth 3.2 miliardë Eurove. Këto që po them janë 100% të vërtetuara nga KLSH, janë të vërtetuara nga komisioni hetimor parlamentar, por natyrisht kur SPAK përdoret si ‘SKAP’ i partisë janë të destinuara të mbeten në gjumë. Kështu që çdo lloj dosje që disponohet, bile i këshilloj të përpiqen të falsifikojnë dhe manipulojnë dhe le ta dërgojnë se nuk ka asnjë lloj problemi.