Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku bëri me dije se projekti i “Unazës së Re” nuk është anuluar.
Balluku deklaroi se askush nuk mund ta mbajë peng Tiranës, ndërsa shtoi se ARRSH nga sot do të jetë e detyruar që garat t’i bëjë publike dhe në transmetim të drejtpërdrejtë.
“Arsyeja se përse po komunikoj me ju është nevoja për t’i dhënë fund aludimeve, deklaratave dhe lajmeve të rreme mbi projektin e Unazës së Re për t’i bërë të qartë njëherë e mirë kujtdo se projekti është i përmirësueshëm por jo i bllokueshëm e aq më pak i anulueshëm.
Tirana dhe gjithë Shqipëria që kalon në atë segment kur vjen në kryeqytet s’mund të merret peng nga askush dhe për asnjë arsye.
Është folur dhe është stërfolur për kosto dhe kilometra por projekti është tejet kompleks dhe me një numër të konsiderueshëm nyjesh, vepra arti në një distancë relativisht të shkurtër, por ama në mes të një zone të mbipopulluar ku intensiteti i banimit dhe aktivitetit do të shkojë duke u rritur.
Procesi i shpronësimeve vijon sipas ligjit, familje në mes të katër rrugëve nuk do të lemë. Bashkia pak ditë me parë kaloi 8 plane zhvillimi për parcela buzë unazës. Iu jep banorëve mundësinë e zhvillimit të pronës kur janë në shtëpi pa biznes”, theksoi ajo.