Bota Barbados zyrtarisht republikë, Rihanna merr titullin prestigjioz

Barbados zyrtarisht republikë, Rihanna merr titullin prestigjioz

Pas më shumë se 400 vitesh, ishulli i Barbadosit në Karaibe ka larguar Mbretëreshën britanike, Elizabeta II si drejtuesen e shtetit duke u bërë republika më e re në botë.

Në një ceremoni të mbajtur mbrëmjen e së hënës në kryeqytetin Bridgetown, Dama Sandra Mason u betua si presidentja e re, duke fshirë gjurmët koloniale gati 400 vjet pasi anijet e para angleze mbërritën në ishull.

72-vjeçarja, e cila ka qenë më herët dhe guvernatore e ishullit, u emërua presidente pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura muajin e kaluar.

“Me dijeni të plotë të asaj që jemi dhe që mund të arrijmë, ne tani e kthejmë harkun e anijes nga një Republikë e re. E bëjmë këtë që të prekim plotësisht sovranitetin tonë”, u shpreh Sandra Mason.

Princi i Uellsit dhe këngëtarja Rihanna, ishin të ftuarit e veçantë të eventit që përkoi me 55-vjetorin e pavarësisë së vendit. Në një fjalim Princi Charles pranoi mizoritë e tmerrshme të skllavërisë të cilave u ishte nënshtruar ishulli në Karaibe.

“Zonja presidente, zoti kryeministër, të nderuar të ftuar. U ndjeva shumë i prekur që më ftuat të rikthehem në Barbados dhe t’ju bashkohem në emër të mbretëreshës në një moment kaq të rëndësishëm për kombin tuaj. Krijimi i kësaj Republike shënon një fillim të ri”, tha Princi.

Sakaq, artistja nga Barbadosi, emri i plotë i së cilës është Robyn Rihanna Fenty, u shpall heroinë kombëtare, ndërsa më herët kishte qenë ambasadore e vendit të saj të lindjes.

Epoka e re për Barbadosin, i jep fund shekujve të tërë influence nga Britania e Madhe përfshirë 200 vite kur ishulli ishte nyja e tregtisë transatlantike të skllevërve.

Për të simbolizuar ndryshimin zyrtar të pushtetit, një përshëndetje e fundit u bë nga monarkia britanike dhe flamuri mbretëror u ul dhe u zëvendësua. Barbados njoftoi planet për t’u bërë republikë vitin e kaluar, por do të vazhdojë të mbetet pjesë e Commonwealth.