Kuriozitete Bariu infektohet me Covid-19, kryebashkiaku vendos t’ia ruajë vetë bagëtitë

Bariu infektohet me Covid-19, kryebashkiaku vendos t’ia ruajë vetë bagëtitë

“Do më gjeni midis deleve, qengjave dhe dhive sepse Antonio, bariu, më telefonoi i dëshpëruar për to. Ai sapo ka mësuar se është infektuar me të gjithë familjen e tij dhe nuk gjen askënd që të kujdeset për kopenë e tij. Unë menjëherë vrapova për tek delet”, shkroi në profilin e tij Facebook Gaspare Giacalone, kryetari i bashkisë së Petrosino, në zonën e Trapanit në Siçili, shkrua Huffingtonpost.it.

Kryebashkiaku, nuk e mendoi dy herë.

Në Facebook ai flet për zgjedhjen e tij, duke postuar një foto që e përjetëson atë me një qengj në krahë.

“Bariu qëndroi në shtëpi, ndërsa unë përpiqem t’i jap pak rehati dhe një dorë për të gjetur një zgjidhje me telefon. Antonio e do punën e tij, është marrë me blegtori gjithë jetën e tij dhe këto krijesa nuk mund të braktisen”, deklaroi kryetari i bashkisë.

”Kurrë nuk kam menduar se të jesh kryetar bashkie ishte e gjitha nder dhe lavdi. Kudo  ka punë dhe sakrifica. Jam aty ku ka vuajtje dhe nevojë, kështu që ndjehem pak më shumë kryetar bashkie”, shtoi Gaspare Giacalone.