Politika Basha në Durrës: Asnjë popull nuk ka paguar rritje taksash këto 7...

Basha në Durrës: Asnjë popull nuk ka paguar rritje taksash këto 7 vite si shqiptarët

“Pas dy muajve të mbyllur për shkak të koronavirusit, të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se rreziku më i madh për shëndetin dhe ekonominë e tyre është Ramavirusi”, deklaroi sot kryetari i PD, Lulzim Basha.

Ai ishte sot në zonën e kënetës në Durrës, ku u shpreh se “ takova qindra qytetarë të rrënuar nga pandemia ekonomike e qeverisë”.

“Si kudo në Shqipëri, edhe këtu Ramavirusi ka shkatërruar ekonominë dhe vendet e punës, duke shtuar hallet për këta banorë të goditur rëndë edhe nga tërmeti i 26 nëntorit”, tha Basha.

“Asnjë popull nuk ka paguar rritje taksash këto 7 vite si shqiptarët, nuk ka paguar rritje të faturave të energjisë, rritje të çmimit të karburantit si shqiptarët. Kur erdhi dita që njerëzit kishin më shumë nevojë për përkrahje nga buxheti, Edi Rama i braktisi”, theksoi Basha.

“Në vend që të ndihmonte qytetarët, paratë vazhdoi t’i çonte te oligarkët. Vetëm pardje thesari i shtetit pagoi 700 mijë euro të parave tuaja, të taksave tuaja për inceneratorin e Tiranës. Për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave, shembi Teatrin dhe do të marrë 30 milionë euro borxh. Sepse interesi i Edi Ramës nuk janë qytetarët që sot janë në pamundësi”, shtoi Basha.

“Që ekonomia të rimëkëmbet pas shkatërrimit nga Ramavirusi, që të ulet papunësia dhe shqiptarët të jetojnë në normalitet duhet urgjentisht një qeveri që mendon e kujdeset për njerëzit. Unë dhe Partia Demokratike kemi vullnetin, vizionin, përvojën dhe dëshirën për t’i shërbyer qytetarëve”, tha Basha.