Kryesore Basha zbardh kulisat: SHBA më vendosi ultimatum për Berishën

Basha zbardh kulisat: SHBA më vendosi ultimatum për Berishën

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dhënë disa detaje për vendimin që pezulloi Berishën nga grupi parlamentar.

“Pas shpalljes non grata ka pasur vizita të zyrtarëve të lartë amerikanë që kanë kërkuar një distancim të qartë të PD nga Sali Berisha. Pasojat do të ishin të rënda për PD pas shpalljes së Berishës non grata. Barra ishte që PD të vinte në peshore të ardhmen dhe interesin personal të Berishës.

PD iu kërkua në mënyrë ultimative të distancohej nga Berisha. PD rrezikonte izolimin nga çdo kontakt me SHBA dhe tryezat ndërkombëtare. Fakte dhe prova për Berishën? Merrini tek ata që e kanë shpallur non grata. Ka gjëra në tryeza të mbyllura që unë nuk mund t’i komentoj.

Falë investimit tim politik dhe personal në përmasa që ndoshta nuk do i bëja as për veten time, një ultimatum për përjashtimin e zotit Berisha u kthye nga unë në një pezullim për të nga grupi parlamentar. Për të u kërkua përjashtim nga Kuvendi dhe distancim i partisë”, tha Basha në emisionin “Open” në TCH.

Basha këmbëngul se nuk ka ndërmend të diskutojë vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që e shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij ‘non grata’, pasi është përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë.