Sport Bayern poshtërohet nga Mainz. Haaland, sërish hero te Dortmund

Bayern poshtërohet nga Mainz. Haaland, sërish hero te Dortmund

Bayern Munchen ka marrë një humbje poshtëruese ndaj Mainz ditën e sotme, teksa është mposhtur me shifrat 2-1. Shkruajmë që është një humbje poshtëruese, pasi bavarezët ishin inekzistentë në fushë.

Në pjesën e parë, vendasit përveçse shënuan 2 herë me anë të Quaison dhe Burkardt, goditën edhe 2 herë shtyllën, duke dominuar tërësisht Bayernin në mënyrë surprizë. Në pjesën e dytë, ekipi i Flick u mundua të ndryshonte diçka, por nuk arriti për asnjë çast të kërcënonte portën e vendasve, përveçse në fundin e lojës, ku Lewandowski shënoi pas një gabimi në mbrojtje të Mainz, duke mbyllur ndeshjen 2-1.

Kështu, Bayern humb shansin për t’u shpallur kampion këtë javë në fushë, pasi Leipzig ka mundësi të shkurtojë diferencën në 8 pikë. Gjithsesi, festa e titullit vetëm shtyhet, pasi vetëm një mrekulli e çmendur mund ta largojë Bayernin nga titulli kampion.

Nga ana tjetër, Dortmund mori një fitore jetike në finalen për zonën Champions ndaj Wolfsburg. Haaland ishte heroi i verdhezinjve, pasi shënoi të dy golat e fitores 0-2. Edhe pse ekipi i Terzic luajti me 10 lojtarë që nga minuta e 59’, u mbrojt mjaft mirë dhe mori një fitore të vyer, që e afrojnë me 4 vendet e para të Bundesligës, që edhe të çojnë në Champions League.

Në ndeshjet e tjera, Union Berlin mposhti 3-1 Werder Bremen, ndërsa Freiburg-Hoffenheim u mbyll 1-1.