Bashkimi Europian ka paralajmëruar Rusinë të ndalojë përhapjen e panikut në lidhje me koronavirusin. Zyrtarët e Bashkimit Europian paralajmëruan në një raport të brendshëm se mediat shtetërore ruse dhe zyrtarët pro-Kremlinit kanë ndërmarrë një fushatë dezinformimi për të mbjellë “panik dhe frikë” në Perëndim në mes të shpërthimit të koronavirusit.
Raporti i përgatitur nga Shërbimi Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS) shprehet se ka patur 80 raste të dezinformatave në lidhje me Covid-19 që nga 22 janari.
“Qëllimi kryesor i dezinformimit të Kremlinit është të përkeqësojë krizën e shëndetit publik në vendet perëndimore, konkretisht duke minuar besimin e publikut në sistemet e kujdesit shëndetësor kombëtar dhe të pengojnë reagim efektiv ndaj shpërthimit“, thotë ai.
Raporti, i datës 16 mars, thotë se fushata është “e dizajnuar për të përkeqësuar konfuzionin, panikun dhe frikën”.
Analiza përshkruan se si funksionojnë mediat pro-Kremlinit për të forcuar një seri raportesh shpesh kontradiktore, për të alarmuar qytetarët e BE-së. Zëdhënësi i EEAS, Peter Stano tha për CNN se qendra ka parë një “fluks” dezinformimesh në lidhje me përhapjen e koronavirusit të ri gjatë javëve të kaluara.
Kur u pyet për të komentuar akuzat e BE-së, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi që Rusia të kishte ndërmarrë një përpjekje të tillë dhe akuzoi Brukselin se kishte një fiksim rusofob.
“Nëse ky dokument do të përmbante të paktën një shembull konkret, me disa media specifike, unë mund t’ju tregoja diçka specifike, por po flasim edhe një herë për disa akuza të pabazuara“, tha Peskov.
Departamenti Amerikan i Shtetit raportoi po ashtu se llogari të mediave sociale të lidhura me Rusinë po përhapnin dezinformata për koronavirusin.