Kryesore BE, udhëtimi ajror do të ketë distancim fizik

BE, udhëtimi ajror do të ketë distancim fizik

Komisioni Evropian do të paraqesë muajin e ardhshëm një sërë rregullash për rihapjen e sigurt të udhëtimeve ajrore kur të përfundojnë bllokimet e koronavirusit, përfshirë distancimin shoqëror në aeroporte dhe aeroplanë, ndërsa disa linja ajrore amerikane janë duke marrë tashmë masat e tyre mbrojtëse.

Komisionerja e Transportit e BE-së Adina Valean tha të mërkurën se masat në shqyrtim do të përfshijnë veshjen e maskave të fytyrës dhe dezinfektimin e aeroplanëve dhe aeroporteve.

“E gjithë kjo duhet të jetë pjesë e udhëzimeve dhe ndoshta deri në mes të majit mund ta paraqesim këtë strategji për të cilën po punojmë”, tha Valean në Twitter.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), e cila vlerëson se kriza mund t’i kushtojë linjave ajrore gjithsej 314 miliardë dollarë, ka thënë se rikthimi i kërkesës do të varet pjesërisht nga masa të tilla si kontrollet dhe testimet.

Delta Air Lines, linja e parë ajrore amerikane që raportoi rezultatet tremujore, paralajmëroi për një rikuperim të çuditshëm në udhëtimet ajrore që përfundimisht do të varen nga nëse njerëzit do të ndjehen të sigurt.

“Kur pyet njerëzit, cila është gjëja më e rëndësishme për t’i bërë ata që të fillojnë përsëri udhëtimet, do të jetë besimi në sigurinë e tyre”, tha Shefi Ekzekutiv i kompanisë Delta, Ed Bastian në një konferencë nëpërmjet telefonit.

Nuk është e qartë nëse agjensitë rregullatore në Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë masa në të gjithë industrinë, tha zoti Bastian.

Bllokimi i sediljeve të mesme

Delta inkurajon pasagjerët dhe punonjësit e saj të veshin veshje mbrojtëse, tha ai, duke përmendur se të paktën 80% e klientëve të saj tani veshin maska për fytyrën kur udhëtojnë.

Delta dhe linjat e tjera ajrore amerikane, si United Airline Holdings Inc, kanë zbatuar gjithashtu masat e tyre të distancimit fizik, duke përfshirë bllokimin e vendeve të mesit, ndalimin e përmirësimit automatik të vendit të caktuar, si dhe ndryshimin e procesit të hipjes në avion.

Pikëpamja e zotit Bastian për sigurinë, si mënyrë rikuperimi të kërkesës, është në kontrast me atë të kreut të kompanisë irlandeze me kosto të ulët Ryanair Holdings, që ka thënë se “një ulje masive çmimesh” do t’i sjellë njerëzit përsëri në udhëtimet ajrore, pasi kriza të qetësohet.

Në një intervistë me agjensinë e lajmeve Reuters javën e kaluar, Shefi Ekzekutiv i Ryanair Michael O’Leary përshkroi propozimet që aeroplanët të fluturojnë me vende të zbrazëta të mesit kur kufizimet e udhëtimit për koronavirusin të kenë përfunduar në Evropë, si “një çmenduri”, duke thënë se ato do të ishin “përfundimisht joefektive”, si dhe të papërballueshme.

Në vend të kësaj, kompania mbështet futjen e kontrolleve të detyrueshme të temperaturës dhe maska për fytyrën për pasagjerët dhe ekuipazhin kur të rifillojnë fluturimet.

Linjat ajrore kanë ngritur shqetësime se masat për të ngadalësuar përhapjen e pandemisë mund të ndikojnë tek fitimet pas përfundimit të kufizimeve të udhëtimit.

Zonja Valean e BE-së tha se nuk ishte akoma e mundur të thuhej se kur kjo industri do të mund të rifillonte operacionet, por tha se ajo pret që kërkesat për distancimin shoqëror të mbesin në vend për aq kohë sa nuk ka trajtim ose vaksinë për COVID-19.

“Ne presim që kriza të mbetet me ne dhe virusi të mbetet me ne“, tha ajo.

Në Kanada, agjensitë rregullatore filluan t’u kërkojnë pasagjerëve të hënën të mbajnë një maskë jomjekësore, ose të mbulojnë fytyrën, gjatë procesit të hipjes në bord dhe gjatë fluturimeve.