Kryesore Berisha: Arsyeja pse protesta e radhës do të mbahet gjatë samitit të...

Berisha: Arsyeja pse protesta e radhës do të mbahet gjatë samitit të BE-së në Tiranë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sugjeruar në mbledhjen e kryesisë së partisë që protesta e radhës e opozitës të mbahet më 6 dhjetor, në ditën kur në Tiranë do të mbahet samiti i BE-së.

Sipas Berishës, ky është një rast historik që populli opozitar të ngrejë zërin para përfaqësuesve më të lartë të demokracive europiane.

“Ne mirëpresim dhe konsiderojmë nderim të veçantë për kombin shqiptar, ardhjen e kryetarëve të shteteve të Bashkimit Europian.

Protesta jonë synon para së gjithash të dëshmojë se në këtë vend, i cili po varfërohet, vidhet e shkretohet çdo muaj e më shumë, aspiratat demokratike europiane janë të pavdekshme. Në këtë kontekst, ftoj që ta marrin këtë protestë si një akt mikpritje ndaj tyre dhe pa diskutim armiqësor, flagrant të hapur armiqësor kundër Edi Ramës, i cili me aferat e tij turpëron lirinë, pluralizmin, transparencën e çdo gjë tjetër”, tha Berisha në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike.

Protesta e fundit e opozitës u mbajt të shtunën e javës së kaluar, më 12 nëntor, ku veç Partisë Demokratike, mori pjesë edhe Partia e Lirisë dhe partitë e tjera opozitare.