Aktualitet Ushtria i bashkohet operacionit për gjetjen e trupave të mbytur në lumin...

Ushtria i bashkohet operacionit për gjetjen e trupave të mbytur në lumin Buna

Efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, së bashku me mjetet e tyre, janë angazhuar në operacionin për gjetjen e tre trupave të raportuar të mbytur në lumin Buna, pranë fshatit Darragjat të Shkodrës.

Ekipet e efektivëve nga Batalioni i Forcave speciale dhe efektivëve nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile i bashkohen polumbarëve të Repartit RENEA, Njësisë së Sigurisë Publike Shkodër, policisë së Shkodrës, Drejtorisë së Kufirit e banorëve të zonës, të cilët vijojnë kërkimet që prej ditës së djeshme.

Deri më tani është gjetur trupi i vajzës 9 vjeçe dhe po kërkohet pa ndërprerje për trupat e nënës dhe 2 fëmijëve të tjerë.

Ngjarja tragjike

Dhuna në familje dyshohet të jetë bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës duke u vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit në Shkodër. Deri më tani është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare ndërsa e zhdukur rezulton nëna Alma Arrazi bashkë me dy fëmijët e tjerë, një vajzë, 8 vjeç, dhe një djalë, 3 vjeç. Edhe ata sipas policisë dyshohet se janë mbytur në lumë  ndërsa palombarët po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave.

Bashkëshortja me tre fëmijët kishin dalë me kunatën, nusen e vëllait të Ergysit dhe më pas janë ndarë në mënyrë të qetë, pa ngritur asnjë dyshim për aktin fatal që Alma Arrazi do të ndërmerrte. Mwsohet se e reja kishte mësuar së fundmi një tradhti bashkëshortore nga i shoqi.

Arrestohet babai, dyshohet se ushtronte dhunë në familje

Menjëherë pas gjetjes së trupit të vajzës së mitur në pranga u vu babai Ergys Arrazi, i cili akuzohet për “Shkaktimin e vetëvrasjes”. Ka qenë vetë 31-vjeçari Arrazi, i cili ka denoncuar në polici më datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.

Për hetuesit ai ka qenë i ftohtë gjatë dëshmisë së tij ndërsa dyshohet se ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes. Diçka të tillë e ka mohuar ndërsa nuk ka shfaqur asnjë ndjesi edhe kur mori lajmin se njëra prej vajzave të tij është gjetur e pajetë në lumë.

Pas denoncimit për zhdukjen e tyre ka qenë motra e gruas e cila i tha policisë për dhunën që ushtronte 31-vjeçari ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve ndërsa ka çuar në pranga Arrazin.