Politika Berisha njofton protestë të madhe para Parlamentit “në ditën e plaçkitjes më...

Berisha njofton protestë të madhe para Parlamentit “në ditën e plaçkitjes më të madhe të vitit”

Sali Berisha ka paralajmëruar protestën e radhës të opozitës, e cila sipas tij, do të mbahet rreth Parlamentit, gjatë miratimit të buxhetit të vitit 2025.

Komentet Berisha i bëri i bëri në një konferencë për mediat me lidhje live nga banesa e tij, teksa ndodhet në ‘arrest shtëpie’ nën akuzën për korrupsion.

Berisha tha se në protestë janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë qytetarët, duke nisur nga pensionistët, fermerët, bizneset e vogla, etj.

Kujtojmë se shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi në seancën plenare në Kuvend, i projektligjit për ‘Buxhetin e vitit 2025’, do të bëhet të martën e datës 3 dhjetor të këtij viti, 2024.

“Natyrisht ne kemi zgjedhur që të paraqesim amendamentet tona në komisione dhe seancë plenare, të sigurt se ato nuk pranohen nga qeveria, e cila ka një synim kryesor, plaçkitjen maksimale të këtij buxheti nga organizata kriminale që kryeson Edi Rama, por paraqitja e tyre është një detyrim solemn para shqiptarëve për të bërë avokatinë e tyre dhe për të qenë të obliguar që në mbledhjen e parë të parlamentit shumicë të PD, ato ligje të votohen dhe të hyjnë në fuqi menjëherë.

Sigurisht, miratimi i këtij buxheti do të shoqërohet me protestë të fuqishme rreth parlamentit, ku qytetarët, pensionistët, fermerët, të papunët, bizneset e vogla, të gjithë ata që dëshirojnë të thonë zërin e tyre në ditën e plaçkitjes më të madhe të vitit, plaçkitjes së buxhetit në parlamentin e krimit”, tha Berisha.