Politika Berisha nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve:...

Berisha nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve: Nuk pranoj poshtërimin e Kuvendit

Sali Berisha doli në një deklaratë për shtyp para protestës së opozitës që pritet të mbahet para kryesisë së Kuvendit. Aty pritet të zhvillohet edhe mbledhja e Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës. Kryedemokrati bëri me dije se nuk do të marrë pjesë në atë mbledhje, që sipas tij poshtëron Kuvendin.

“Unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim të tillë të institucionit që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare”, u shpreh Berisha.

Sa i përket protestës, Berisha theksoi se opozita vendos të nisë sot betejën pa kthim dhe do t’i përgjigjet Ramës dhëmb për dhëmb.

“Jam sot këtu për të shpallur fillimin e betejës pa kthim në rrugët e Tiranës, sheshet e saj, në çdo skaj të këtij vendi. Partia Demokratike është e vendosur t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb sundimit të Edi Ramës të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Sot çdo demokrate dhe demokrat i vërtetë ndihet një luftëtare dhe luftëtar i lirisë, i betuar për të bërë gjithçka për shembjen e narkodiktaturës, për shembjen e regjimit, i cili u grabit votën shqiptarëve, për shembjen e regjimit që u kontrollon vullnetin shqiptarëve, për shembjen e regjimit, i cili vjedh ata sa kurrë ndonjëherë në historinë e tyre, për shembjen e regjimit që asgjësoi parlamentin pluralist duke iu mohuar përfaqësuesve të opozitës të drejtat kushtetuese”, u shpreh Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, pjesëmarrësit e sotëm në protestë, do të jenë luftëtarët e parë të lirisë në rrugë.

“Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga parlamenti në rrugë. Do vazhdojmë në parlament. Çdo shqiptar duhet të ndalet në një moment, të shtrojë pyetjen: beson ai apo jo se vota e lirë është jetike, që qytetarët të gëzojnë liritë dhe të drejtat që shteti ligjor të funksionojë. Çdo qytetar që i beson votës duhet të shtrojë pyetjen: a ka votë të lirë me Edi Ramën? Çdo qytetar duhet t’i thërrasë vetes, në rast se nuk do të pajtohet me një diktaturë, të ngrihemi. Sot do të jemi një grup fare modest, por do jemi luftëtarët e parë në rrugë, luftëtarë lirie”, theksoi Berisha.