Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se do të padisë për shpifje Sekretarin amerikan të Shtetit pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non grata”.
Në një konferencë për shtyp, Berisha u pyet nga gazetarët se kujt i referohej vlerësimi i DASH për Berishën, kur thoshte se “ka mbrojtur dhe favorizuar aleatët politikë”.
Në këtë pikë, ish-kryeministri përmendi Fatmir Mediun dhe Ilir Metën, për të cilët tha se ju ka hequr imunitetin.
“Sali Berisha është autor i heqjes së imuniteteve në këtë vend. Ish-ministri Fatmir Mediu pas ndodhisë në Gërdec i kemi hequr imunitetin. Çfarë ndërhyrje qenka kjo? Heqja e imunitetit qenka ndërhyrje? Çfarë ndërhyrje qenka për Ilir Metën kur ai hoqi vetë dorë nga imuniteti dhe kërkoi hapjen e procesit. Ndërhyrje është pengimi me imunitet apo mospengimi me imunitet? PD do të ndjehej në vështirësi nëse ky person nuk i adresohet një gjykate neutrale për të bërë drejtësi. Në qoftë se duam të bëjnë vetë prokurorin, vetë gjykatësin, atëherë jo, kjo nuk është”.
“Blinken të paraqesë prova”
Berisha thotë se pret që Sekretari amerikan Blinken të paraqesë provat ndaj tij nëse ekzistojnë.
“Në qoftë se Sekretari i Shtetit do të paraqiste prova do të konsideroja çdo gjë, natyrisht jo prova të montuara në Tiranë te zyra e Edi Ramës. Provat le t’i nxjerrin. Unë kam hapur gjyq, le t’i paraqesin para gjykatës. Ai është diplomati më i fuqishëm i botës, unë jam një qytetar privat. Ka patur një tendencë për shkak të kundërshtimit që i bëra projektit të ndarjes së Kosovës, projekt ogurzi dhe që jam krenar për qëndrimin që kam mbajtur, që të kualifikohej qëndrimi im si konspiracion ndaj politikës së jashtme të SHBA. Por unë çdo gjë e kisha publike. Ata që e iniciuan dështuan”.
Edhe deklaratës së zyrtarit të lartë të DASH, Matthew Palmer, që përsëriti qëndrimin e Sekretarit Blinken, Berisha dha këtë përgjigje: “Do ta shqyrtoj qëndrimin e tij, por z.Palmer është zyrat i lartë i Departamentit dhe ka mbrojtur deklaratën që ka mbajtur Departamenti i Shtetit. Megjithatë do të studioj deklaratën e tij”.
Për qëndrimin e Lulzim Bashës, Berisha tha se “unë mendoj se PD një qëndrim do shprehte. Dhe ai shprehu qëndrimin e PD. Unë jam pjesë e asaj partie”. Kurse për Presidentin Ilir Meta që nuk ka reaguar pas vendimit të DASH, Sali Berisha deklaroi se “mendoj se është fare normale, s’ka asnjë lloj shkaku pse të prononcohet”.
“Bashkëqeverisja PD-PS do të ishte fatalitet për Shqipërinë”
I pyetur si e komenton një bashkëqeverisje mes PS dhe PD, ish-kryeministri e konsideroi fatalitet një gjë të tillë nëse do të ndodhë.
“Se cilat janë fantazitë apo projektet e të tjerëve unë nuk e di. Unë shpreha këtë konsideratë dhe u informova ju për hapin. Përsa i përket një bashkëqeverisje, do ishte fatalitet për Shqipërinë dhe nuk i shërben. Shqipërisë i duhen zgjedhje të lira e të ndershme, jo bashkëqeverisje”.
Pyetjes nëse vendimi i DASH që e shpalli “non grata” u dha në këtë moment për ta larguar nga politika, Sali Berisha tha se kushdo mund të ketë qëllime të caktuara.
“Shumë variante mund të dalin. Por besoj se hapi më i rëndësishëm është t’i drejtohem gjykatës dhe gjykata të nxjerrë të vërtetën në shesh se cili ka qenë Sali Berisha gjatë jetës së tij politike. Unë e kam këtë çështje dinjiteti, pastaj se çfarë qëllimesh, secili ka të drejtë të ketë qëllimet e veta”.